Ja si mund të aplikoni falas për studime në Itali

Maturante te shkolles Myslym Keta, duke dale pas provimit te Matematikes, per Maturen Shteterore.

15:37 | 25 Korrik 2015
M. A.

Të rinjtë nga Shqipëria dhe Kosova të cilët duan të studiojnë në universitetet e Italisë mund të marrin informacion dhe të bëjnë aplikim falas pranë zyrave të Patronato-INAS CISL-Albania, Tiranë.

Ky institucion iu vjen në ndihmë edhe qindra e mijëra emigrantëve shqiptarë apo të Kosovës që jetojnë dhe punojnë në Itali, dhe që duan të sigurohen për pensionet e tyre. Specialisti në fushën e pensioneve Naim Balluku thotë se në Kosovë nuk ka një degë specifike për emigrantët por ata mund të marrin informacion përmes zyrës së Tiranës, falas, ndërkohë që në të ardhmen nuk përjashtohet mundësia që një zyrë e tillë të çelet edhe në Prishtinë.

Sa i përket studentëve, koordinatorja e INAS, Beskida Aliaj na shpjegon gjithë procedurën që duhet të ndjek një i ri, maturant nëse ka vendosur të studiojë jashtë vendit të tij. Beskida thotë se ka edhe studentë nga Kosova që kërkojnë informacion për studimet jashtë, dhe pasi informohen mbi rrugën që duhet të ndjekin, procedurat e tjera ata i kryejnë në Ambasadën e Italisë në Kosovë.

Koordinatorja Aliaj thekson më te j se për të studiuar në Itali, duhet patjetër gjuha italiane certifikata e quajtur CEL 3, dhe plus dokumenteve të shkollës dhe atyre personale, universitetet italiane kërkojnë edhe një llogari bankare me jo më pak se 6 mijë euro.

Deri tani janë 200 studentë që kanë aplikuar për studime në Itali pranë zyrës INAS, që është hapur në Tiranë, dhe shumë pak janë ata që e dinë se kjo zyrë funksionon me shërbimet falas dhe me orare të përshtatshme për studentët.

“Jemi në ditët e fundit të mbylljes së gjithë aplikimit, gjithë procedurave që kanë filluar që nga muaji prill, dhe le të themi se kanë ngelur edhe pak ditë , në datë 31 korrik mbaron i gjithë aplikimi. Ka filluar që në prill dhe faza e parë ka mbaruar që më 10 korrik. Ka pasur dokumentet e veta përkatëse. Jemi në momentet kur studentët po përgatisin këto dokumente, një kusht thelbësor është përgatitja e garancisë bankare, derdhja e një shumë prej 5850 euro në një nga bankat italiane” tha Beskida Aliaj

Universitetet më të preferuara janë ato shtetërore në Romë, Milano, si La Sapienza, Pizza etj, ndërsa sa i përket degëve që zgjedhin studentët shqiptarë, dominon Mjekësia, Infermieria, Informatika dhe Ekonomiku, por ka edhe për kanto, instrumente muzikore e degë të tjera specifike.

Për të gjithë ata që nuk kanë informacion, dhe janë gati për vitin tjetër, sa i përket afateve të aplikimit ato nisin nga marsi e mbyllen në fund të korrikut, kohë kur të rinjtë përfundojnë të gjithë procedurat e aplikimit.

Çdo vit rreth 5 mijë të rinj shqiptarë zgjedhin të studiojnë jashtë vendit ku universitetet dhe shteti më i preferuar mbetet Italia. Pranë zyrës së INAS në Tiranë (në zonën e Bllokut pranë shkollës Edit Durham), të gjitha aplikimet janë falas, pasi mundësohen nga një bashkëpunim (marrëveshje) mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane. Përfaqësuesit e kësaj zyre thonë se shumica e të rinjve dhe prindërve të tyre nuk kanë informacion, dhe në shumicën e rasteve janë drejtuar për aplikime në rrugë private, duke paguar shuma të mëdha parash nëpër zyra noteriale.

Shpërndaje në rrjete sociale