Çifti nga Vora, që u shpallën në kërkim para 5 ditësh nga Policia e Tiranës, pasi u kishin shitur bileta të pavlefshme një familjeje që do të udhëtonte drejt Italisë, është denoncuar sërish nga dy qytetarë të tjerë.
Këtë herë në zyrat e Antikrimit Ekonomik janë paraqitur një 57-vjeçar dhe një i ri 27 vjeç, të cilëve u është refuzuar udhëtimi drejt Turqisë dhe Italisë, pasi biletat e tyre kanë rezultuar të pavlefshme.
Në rastin e parë, dy bashkëshortët, Marida Shehi 28 vjeçe e Saimir Shehi 31 vjeç, dyshohet se i kanë marrë 2500 euro shtetasit me iniciale A.C., për një udhëtim turistik drejt Antalias, në Turqi. Por, megjithëse kanë marrë paratë për rezervimin e biletës që përmbante paketa turistike, ata nuk kanë bërë pagesën pranë kompanisë së udhëtimit.
Për rrjedhojë, bileta ishte anuluar, por çifti Shehi nuk e kanë vënë në dijeni klientin e tyre, i cili e ka mësuar mashtrimin vetëm pasi ka shkuar në Aeroportin e Rinasit që të nisej për udhëtim drejt Italisë.
Në këtë moment i është komunikuar që bileta e tij e udhëtimit ishte e pavlefshme dhe nuk mund të fluturonte drejt Turqisë. Rasti tjetër është i 27-vjeçarit me iniciale F.K., i cili po ashtu nuk ka arritur të udhëtojë drejt Italisë, pasi bileta e tij rezultoi e pavlefshme në Aeroportin “Nënë Tereza”.
MASHTRIMET
Bashkëshortët Saimir e Marida Shehi vijojnë të jenë në kërkim nga Policia që prej datës 15 gusht, kur u denoncuan për mashtrim nga një familje. Ata dyshohet se i kanë shitur 5 bileta një familjeje, të cilat pas verifikimit kanë rezultuar të pavlefshme.
Ngjarja është denoncuar nga një 48-vjeçar, i cili kishte bërë rezervimin e biletave rreth 3 javë më parë, por pasi është nisur për në udhëtim bashkë me të shoqen e tre fëmijët, është kthyer mbrapsht për shkak se asnjëra prej tyre nuk ishte e vlefshme.
I dëmtuari fillimisht është paraqitur vetë në zyrën e përshtatur si agjenci turistike në Vorë, në pronë- si të bashkëshortëve, por e ka gjetur të mbyllur. Ndërsa asnjë nga numrat e telefonit që kishte për të kontaktuar me ta, nuk dilte i disponueshëm.
Në këto rrethana, 48-vjeçari L.Gj. është paraqitur në Komisariatin e Vorës ku ka denoncuar mashtrimin që i ishte bërë nga çifti. Policia ka nisur menjëherë hetimet për ngjarjen, ndërsa as patrulla që është paraqitur në adresën e supozuar ku ndodhej agjencia turistike, nuk ka arritur të gjejë dy të dyshuarit./Panorama
Malisheva blindon pozitën e tretë pas fitores me Gjilanin
Llapi “fundos” Prishtinën e Re në përballjen dir...
Drita fiton derbin me Prishtinën dhe marshon drejt titullit ...
Arrestohet një person në Gjakovë për veprën penale ‘’Vjedhje...
Jashari favorit para Riccit për ta zëvendësuar Luka Modricin...
Prokuroria Themelore në Ferizaj kërkon paraburgim ndaj pesë ...