Daciq: Delegacioni nga Prishtina ishte joserioz

20:49 | 25 Qershor 2015
M. A.

Ministri serb i Punëve të Jashtme. Ivica Daciq, ka hedhur poshtë pretendimet e mediave kosovare, se për gjithçka ishte rënë dakord në raundin e fundit të bisedimeve në Bruksel.

“Këto informata janë false dhe negociatat do të vazhdojnë”, ka thënë Daciq.
Ai ka shtuar se në takimin e 23 qershorit, të dyja palët së bashku me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së Federica Mogherinin, janë dakorduar se ajo çka është diskutuar në takim, nuk duhet t’i adresohet publikut.

Megjithatë, Edita Tahiri, kryesuesja e ekipit negociues të Prishtinës, ka lëshuar një deklaratë politike menjëherë pas dialogut, duke thënë se takimi ka përfunduar rreth gjenocidit të dyshuar kundër popullit shqiptar.

“Kjo tregon papërgjegjshmërinë dhe mungesën e seriozitetit të delegacionit të Prishtinës, i cili është i interesuar në çështjet rreth statusit të Kosovës, në vend se të merren me trajtimin e çështjeve me rëndësi për jetën e përditshme të qytetarëve kosovarë”, ka thënë Daçiç, në një konferencë shtypi, shkruan gazeta serbe Tanjug, transmeton Klan Kosova.

Daciq ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi, do të vazhdojë javën e ardhshme.

Shpërndaje në rrjete sociale