MTI inspekton subjektet afariste edhe në Veriu  

15:10 | 8 Maj 2017
Gita

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është duke ndërmarr veprime ligjore për ushtrimin e mandatit të saj edhe në veri të Mitrovicës.

Zyrtarë të kësaj  ministrie thonë se po bëhen edhe trajnime të stafeve në komunat serbe për zbatimin e legjislacionit të Kosovës.

“Lidhur me tregtinë me karburante në komunat e veriut të Republikës së Kosovës, tash pas marrëveshjes së Brukselit,  e cila parasheh shtrirjen e ushtrimit të kompetencave të institucioneve të Republikës së Kosovës, MTI po merr veprime ligjore lidhur me ushtrimin e mandatit të saj në inspektimin e subjekteve afariste edhe në këto komuna”, thuhet në përgjigjen e zyrtarëve të MTI-së.

Kjo ministri sipas, zyrtarëve të saj, ka kryer trajnimin e stafit në komunat Zveçan, Zubin Potok, Leposaviç dhe Mitrovicë e veriut, të cilët janë duke punuar në zbatimin e legjislacionit të Kosovës lidhur me tregtinë me karburante dhe inspektim të tregut bazuar në planin e punës të hartuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

“Ky staf po i raporton Drejtorisë së Inspektoratit të Tregut në MTI lidhur me procesin e licencimit të operatorëve ekonomikë në komunat veriore. Si rezultat i veprimeve të ndërmarra të përcaktuara si më lartë janë shënuar edhe rezultatet e para në licencimin e subjekteve afariste që merren me tregtinë e naftës në këto komuna, dhe ky proces do të vazhdojë duke pranuar kërkesa të reja për licencim. Po ashtu trendi i regjistrimit të kompanive nga këto komuna në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) ka shënuar rritje”,  janë shprehur zyrtarë të kësaj ministrie.

Sa i përket kontrollimit të cilësisë së naftës, i cili që nga muaji prill do të bëhet nga Dogana e Kosovës, zyrtarë të kësaj ministrie thonë se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, me qëllim të harmonizimit të legjislacionit dytësor me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me qëllim të krijimit të mekanizmave efikas për kontrollimin e cilësisë së naftës dhe produkteve të naftës, me kërkesë të Ministres së Tregtisë dhe Industrisë ka hartuar dhe aprovuar Udhëzimin e ri për cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës.

Sipas MTI-së ky udhëzim është në pajtim me Ligjin nr. 04/l-039 për Kërkesat Teknike për Produkte dhe Vlerësim të Konformitetit të Kodit Nr. 03/L-109 Doganor dhe i Akcizave në Kosovë dhe ka ngarkuar Doganën e Republikës së Kosovës me përgjegjësi për kontrollimin e cilësisë së naftës dhe produkteve të lëngëta të naftës në pikat doganore.

Udhëzimi Administrativ nr. 01/2017 për Cilësinë e Karburanteve të Lëngëta të Naftës, sipas kësaj ministrie  ka hyrë në fuqi me 22 shkurt 2016, kurse dispozitat në bazë të të cilave Dogana e Republikës së Kosovës është ngarkuar me përgjegjësitë e saj ligjore për kontrollimin e cilësisë së naftës dhe produkteve të lëngëta të naftës kanë hyrë në fuqi me 23 prill 2017.

“Kjo periudhë kalimtare prej 60 ditëve është paraparë në mënyrë që Dogana e Republikës së Kosovës të këtë kohë të mjaftueshme që t’i bëjë përgatitjet e duhura për ushtrimin e përgjegjësive të përcaktuar me legjislacion. Përmes këtyre veprimeve, ne si institucione të Kosovës kemi adresuar një objektivë tejet të rëndësishme në kuadër të synimeve tona për rritjen e efikasitetit të kontrollit të cilësisë së karburanteve që tregtohen në Republikën e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e MTI-së.

Në anën tjetër, Fadil Berjani nga Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës, thotë se derivatet e naftës duhet të kontrollohen edhe në veri.

“Edhe veriu i vendit është siç do hyrje tjetër doganore, ne nuk e ndajmë veriun nga jugu. Derivatet e naftës duhet të testohen, të kontrollohen pavarësisht nga hyjnë në Republikën e Kosovës”, shprehet Berjani.

Ndërsa sa i përket kontrollit të cilësisë së naftës nga Dogana, Berjani thotë se ky është gjysmë hapi edhe pse sipas tij, edhe më tej janë funksionale trupat inspektuese, gjë e cila i rëndon bizneset.

Ai, shpreson që do të ketë përmasim në cilësinë e naftës, edhe pse, sipas tij, numri i deklaruar nga doganat se do te testohen vetëm 3% nuk është i arsyeshëm dhe nuk garanton cilësi.

“Këto janë java e parë, shpresojmë se do të këtë përmirësim sa i përket kontrollit të cilës edhe pse deklarimet nga dogana se nafta do të kontrollohet vetëm 3 për qidn , janë shumë të vogla dhe nuk korrespondojnë me kërkesat tona, prandaj ne kërkojmë nga doganat të rritet numri i mostrimeve dhe t’i largoj trupat inspektuese, sepse këta trupa vetëm kanë lexuar letra dhe kanë lëshuar certifikata fallco pa e kontrolluar cilësinë “, është shprehur Berjani. Arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale