Familja e policit Afrim Sulejmani, i arrestuar gjatë aksionit policor të 9 majit në Kumanovë, kërkon arsye përse djali i tyre mbetet ende në paraburgim, edhe pas një muaji.
Nëna e Afrimit, Emine Sulejmani, përmes një letre dërguar televizionit Alsat, shpjegon rrethanat në të cilat është ndodhur Afrimi dhe familja e tij ditën kur është arrestuar, ndërsa kanë kërkuar lirimin e tij.
“Gjatë aksionit policor kur edhe rruga jonë ishte e bllokuar, Afrimi ka kërkuar ndihmë nga kolegët dhe përgjegjësit e tij. Po atë ditë, Afrimi është dashur të shkonte në punë, në pikën kufitare në Tabanovc, por ai është urdhëruar nga eprori i tij që të qëndrojë në shtëpi derisa të përfundonte aksioni policor, më qëllim që familja e tij dhe personalisht Afrimi, të mos pësonin nga aksioni që po zhvillohej”, shkruhet në letrën e familjes Sulejmani.
Nga Prokuroria Publike u kërkua sqarim se a është Afrim Sulejmani pjesë e hetimit, a ka indikacione se ai mund të ketë bashkëpunuar me pjesëtarë të grupit të armatosur dhe për cilat vepra dyshohet Afrim Sulejmani.
Për të gjitha këto pyetje, Prokuroria dha vetëm një përgjigje:
“Prokuroria Themelore Publike për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, nuk mund të ndajë detaje të cilat do të shkonin në dëm të efikasitetit dhe efektivitetit të përmbarimit të procedurës hetimore”.
Zëdhënësi i policisë, Ivo Kotevski, tha për televizionin Alsat se Afrim Sulejmani dyshohet për pjesëmarrje në grup të armatosur që ka për qëllim kryerjen e aktit terrorist. Sipas Kotevskit, Sulejmani dyshohet të ketë qenë pjesë e logjistikës së grupit.
“Sipas masave të ndërmarra të deritanishme, personi në fjalë ngarkohet si pjesë e grupit kriminalo-terrorist. Pra, thënë shkurt, ai ka pasur për detyrë sigurimin e një pjesë të lokacioneve ku ka qëndruar ky grup si dhe t’i ndihmonte grupit, praktikisht, të ishte pjesë e logjistikës së veprave të tyre”, theksoi Ivo Kotevski, zëdhënës i MPB-së.
Familja Sulejmani e pati denoncuar rastin dy ditë pas sulmeve në Kumanovë, duke besuar se ndalimi i djalit të tyre ka qenë në kuadër të ndalesës që kishte vendosur policia. Sipas familjes, Afrimit i ishin vënë prangat menjëherë pasi kishte raportuar armën zyrtare pranë ekipit policor.
Aksion i Prokurorisë Speciale për krim të organizuar e rrëmb...
Partia e Socialistëve Evropianë mbështet VV-në dhe Kurtin në...
Besim Kelmendi paraqet kërkesë për lirim nga pozita e U.D. K...
Mbi 1400 gjoba dhe 51 aksidente brenda një jave në rajonin e...
Pas vrasjes makabre, Kushtrim Kokalla me Naim Murselin qëndr...
Avokati i familjes së Marigona Osmanit kërkon të mbetet burg...