Pak shpresë për zbardhjen e krimeve të luftës në Kosovë

12:45 | 26 Prill 2017
Gita

Numri i rasteve të proceduara për krimet e luftës ndaj civilëve shqiptarë është shumë i vogël dhe nëse vazhdohet me këtë tempo, shumica e familjeve nuk do të shohin asnjëherë drejtësi për humbjen e të afërmve të tyre.

Kështu thonë përfaqësues të Organizatave Joqeveritare, të cilat monitorojnë rastet e krimeve të luftës në gjykatat vendore.

Drejtori ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, e sheh si shumë të vështirë zbardhjen e këtyre rasteve, pas kalimit të një periudhe kaq të gjatë kohore.

Sipas tij, në përgjithësi numri i rasteve të proceduara për krime lufte është tepër i vogël dhe nëse vazhdohet me këtë tempo, shumica dërmuese e viktimave dhe familjeve të tyre nuk do të shohin asnjëherë drejtësi.

“Të gjitha veprat penale, e sidomos krimet e luftës, më vështirë zbardhen pas kalimit të një periudhe të gjatë të kohës. Në rastet e krimeve të luftës shpeshherë nuk ka asnjë provë forenzike, as ndonjë provë në formë të dokumenteve dhe ndonjëherë tërë aktakuza bazohet ne dëshmitë e dëshmitarëve”, shprehet Blakaj.

Sipas tij, me kalimin e kohës kujtesa e dëshmitarëve zbehet dhe se ka edhe raste të tilla që dëshmitarët okularë kanë ndërruar jetë tashmë. Prandaj, sipas Blakajt, është shumë e vështirë të zbardhen këto raste.

Këto dy arsye, sipas drejtorit të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë do duhej të ndikonin që institucionet përkatëse të mendojnë që t’u japin prioritet rasteve të krimeve të luftës.

Por, për prokurorët e Prokurorisë Speciale të Kosovës hetimi dhe ngritja e akteve akuzuese për veprat penale të Krimeve të Luftës, po vazhdon të mbetet sfidë.

Gjatë vitit 2016 Departamenti për Krime të Luftës në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës nga 359 raste që ka pasur në punë në të cilat përfshiheshin 1531 persona, ka zgjidhur vetëm 33 raste me 73 persona ndërsa kanë mbetur të pazgjidhura 326 raste me 1458 persona.

Prej të gjitha këtyre rasteve, sipas të dhënave të Prokurorisë së Shtetit ndaj 47 personave janë pushuar hetimet, për 17 persona është hedhur kallëzimi penal, ndërsa ndaj 5 personave është ngritur aktakuzë.

Ndërkohë, aktakuza e fundit e ngritur ditë më parë për krime lufte, është ajo ndaj 46 vjeçarit, Zoran Vukotiq, ndaj të cilit Prokuroria Speciale rëndon akuza për krime kundër popullsisë civile në Studime të Vushtrrisë, bashkë me të dyshohet të ketë qenë edhe Goroljub Paunoviq nga Vushtrria, për të cilin gjithashtu ka një flet -arrest në Interpol, i cili dyshohet se ndodhet në Serbi.

Përveç tij, në faqen e Interpol-it vazhdojnë të jenë të kërkuar edhe një numër i madh i personave të dyshuar për krime lufte, të cilët i takojnë nacionalitetit serb. / Arbresh.info/ Gita Lushi

interpoli

interpol3

interpol2interpolinterpol-1

Shpërndaje në rrjete sociale