Ekziston video ekskluzive për rastin e “Monstrës”

11:35 | 19 Prill 2017
Gita
Partia rome PCER lëshoi një bombë të fortë sa i përket vrasjes së pesëfishtë në Smilkovë. Sipas kësaj partie, ekziston një video e cila zbardh vrasjen që ndodhi më 12 prill 2012 pranë liqenit në periferi të Shkupit. Këtë e kishte paralajmëruar LSDM, por nuk e bëri, edhe pse lideri i saj kishte premtuar se do të publikojë inçizimet që kanë të bëjnë me këtë rast, transmeton Gazeta Express.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev gati dy vite pas premtimit të dhënë po heshtë për rastin “Monstra”. Ai kishte premtuar se do të bëjë publikimin e materialeve të përgjimeve, të cilat i janë dorëzuar Prokurorisë Speciale.

Familjarët e të dënuarve me burgim të përjetshëm, por edhe familjarët e pesë viktimave që u vranë në 12 prillin e 2012 pranë Liqenit të Smilkovcit në periferi të Shkupit kanë theksuar se ndjehen të tradhtuar nga Zaev.

Familjarët e shqiptarëve të dënuar kanë theksuar se Zaev këtë rast e përdori për qëllimet e tij politike dhe se më në fund u pa fytyra e vërtetë. “Presim qëndrimin e tij lidhur me këtë rast gjatë ditëve në vijim”, theksoi familjari Bedri Ajdari. Zaevi kishte dhënë sinjale se disponon me materialet që japin hollësi se rasti është i montuar nga pushtetarë aktual dhe se personat që po vuajnë burgun janë të pafajshëm. Nuk dihet akoma se për çfarë biseda të përgjuara bëhet fjalë dhe kush janë protagonistët. Disa media kanë theksuar se bëhet fjalë për bisedave mes njerëzve në pushtet, por nuk jepet asnjë detaj i qartë se çfarë është përmbajtja e tyre.

Avokati mbrojtës i të dënuarve shqiptarë për rastin “Monstra”, Naser Raufi kishte deklaruar se nëse Zaev nuk guxon ti publikoj përgjimet për këtë rast, atëherë t’ia dorëzojë avokatëve dhe ata do ti publikojnë. Ai ka theksuar se Zaev duhet të jetë dëshmitarë në këtë rast, pasi që ka njohuri për “Monstra”

Shpërndaje në rrjete sociale