Mbahet gara me biçikleta për “Sigurinë në Rrugë”

15:39 | 4 Qershor 2015
M. A.

Është mbajtur sot Manifestimi Qendror i Garave Republikane të edicionit të tretë të Revistës shkollore “Siguria në Rrugë”, e cila është organizuar nga Kolegji Tempulli dhe Ministria e Arsimit.

Nxënësit të cilët morën pjesë në këtë garë improvizuan sigurinë në rrugë duke ngarë biçikletën përgjatë një poligoni në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Nxënësja e klasës së pestë të shkollës fillore “Teuta” në Prishtinë, pjesëmarrëse e kësaj gare, Elina Krasniqi, u shpreh se kjo garë do t’u ndihmojë të gjithë fëmijëve.

“Unë mendoj se këto gara kanë rëndësi për nxënësit ose pjesëmarrësit këtu, por edhe fëmijët e tjerë për sigurinë në rrugë”, rrëfen ajo.

Zef Shala, mësimdhënës i lëndës së Teknologjisë dhe Informacionit në shkollën “At Gjergj Fishta” të komunës së Gjakovës, tha se Kosova ka pas nevojë për aktivitete të tilla.

“Këto gara e nxisin aktivitetin e nxënësve në ruajtjen dhe kujdesin në komunikacion”, tha Shala.

Në këtë manifestim tradicional ishte i pranishëm edhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami i cili bëri hapjen zyrtare të kësaj gare.

Sipas ministrit Bajrami me krijimin e standardeve edukative ndikohet në rritjen e sigurisë, shkruan kallxo.com.

“Siguria e përgjithshme në rrugë, është shumë e rëndësishme duke pas parasysh tranzicionin që po kalon vendi ynë”, tha Barjami.

Ministria e Arsimit ka përzgjedhur shkollat të cilat ka konsideruar se janë më të rrezikuara nga komunikacioni, që të jenë pjesë e kësaj gare.

Pjesëmarrëse të kësaj gare ishin shkollat nga komuna e Prishtinës, Gjakovës, Malishevës, Drenasit, Shtimës, Shtërpcës, Novobërdës, Vitisë dhe Prizrenit.

Shpërndaje në rrjete sociale