Bajram Gecaj befason me një deklaratë për projektligjin e Ushtrisë

16:35 | 24 Mars 2017
Gita

Kanë mbetur edhe 11 ditë që Qeveria e Kosovës të procedojë për Kuvend projektligjin për Ushtrinë, i cili është hartuar nga presidenca.

Mirëpo, siç duket Qeveria e Kosovës nuk pritet ta procedojë fare për në Kuvend këtë projektligj.

Megjithëse FSK, Ministria e Financave dhe Ministra e Integrimeve Evropiane e kanë mbështetë këtë projektligj duke ia lënë Qeverisë që të procedojë për në Kuvend, këta të fundit thonë se ata nuk kanë punë me këtë gjë.

Këshilltari i kryeministrit Isa Mustafa, Bajram Gecaj thotë se ata nuk kanë punë me këtë dhe se për dërgimin e saj në Kuvend duhet të flitet me FSK-në ose presidencën.

“Për çështjen e dërgimit të projektligjit në Kuvend pyetjet duhet t’ia drejtoni ose presidencës ose FSK-së. Edhe FSK është Qeveri dhe është në lajmin e saj dhe ata ju tregojnë se çfarë po bëhet me këtë projektligj”, ka thënë Gecaj për Indeksonline.

Mirëpo, një gjë të tillë nuk e pranon FSK.

Zëdhënësi i saj, Ibrahim Shala për Indeksonline thotë se tashmë FSK e ka kryer punën e saj sa i përket këtij projektligj dhe se ata nuk e procedojnë më tutje.

“E kemi kryer ne. Nuk procedojmë ne më tutje. FSK i ka kryer të gjitha vlerësimet që i ka pasur edhe i ka kthyer në Qeveri”, ka thënë Shala.

Nga kjo, nuk dihet nëse Qeveria  e Kosovës ka ndryshuar mendim në lidhje me formimin e Ushtrisë pas reagimeve të ambasadës së SHBA-së, NATO-s, të cilët kanë kundërshtuar hapur transformimin e FSK-së në Ushtri.

Ndryshe, presidenti Thaçi si iniciues i këtij projektligji ka paralajmëruar se nëse deputetët nuk e miratojnë këtë projektligj ai do të japë dorëheqje/Indeksonline/

Shpërndaje në rrjete sociale