Mustafa mbështet  rivarrosjen e Isa Boletinit në vendlindje

19:43 | 19 Maj 2015
M. A.

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i shoqëruar nga familjarët e heroit Isa Boletini, Xhavit e Gazmend Boletini, kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Bislim Imeri dhe shefat e disa grupeve të këshilltarëve të partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Komunës, janë pritur nga Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, për të biseduar për situatën e krijuar lidhur me rivarrimin e eshtrave të heroit Isa Boletini.

Mustafa i ka dhënë përkrahje kërkesës së familjarëve dhe të gjithë atyre që po kërkojnë rivarrimin e heroit në Boletin.

Bahtiri e njoftoi fillimisht Mustafën me reagimet e bashkëfshatarëve, bashkëqytetarëve, institucioneve komunale, shoqatave të dala nga lufta, shoqërisë civile, intelektualëve etj, jo vetëm nga Mitrovica, por pothuaj nga gjithë vendi e më gjerë, me të cilat reagime është kundërshtuar fuqimisht vendimi më i ri i Këshillit Organizativ për rivarrim, që eshtrat e heroit të Isa Boletinit të rivarrosen në Vlorë, e jo në Boletin.

“Ne si institucion komunal, bashkë me familjarët e heroit Isa Boletini dhe përfaqësuesit e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Komunës, jemi sot këtu që të kërkojmë nga ju si kryeministër, që këtë çështje ta diskutoni në qeverinë e Kosovës dhe të anuloni vendimin e fundit Këshillit Organizativ, në mënyrë që rivarrimi të bëhet ashtu sikur ishte parapa në fillim, në vendlindjen e tij në Boletin, më 10 qershor”, ka thënë kryetari Bahtiri.

Edhe nipi i heroit Isa Boletini, Xhaviti, ia tha po këto fjalë kryeministrit Isa Mustafa. Ai i tregoi atij se si ka qenë nën presion që të pranoj që rivarrimi i eshtrave të gjyshit të tij të bëhet në Vlorë, ose të shtyhet për një kohë tjetër.

Në mbështetje kategorike të qëndrimit të familjarëve të heroit Isa Boletini, kryetarit Bahtiri dhe të qytetarëve të Mitrovicës, folën edhe Gazmned Boletini, Kushtrim Boletini, Bislim Imeri, Bekim Muja, Xheva Bahtiri dhe Vesel Neziri. Madje këta thanë, se mosrespektimi eventual i këtij vullneti, mund të sjell telashe në Mitrovicë.

Kryeministri i Kosovës, tha se i kupton seriozisht shqetësimet e familjarëve të heroit Isa Bletini, të institucioneve komunale dhe qytetarëve të Mitrovicës, andaj edhe për kërkesën duhet të bisedohet patjetër, ndoshta së pari në Këshillin Organizativ, pasi që aty është marrë vendimi për rivarrimin e eshtrave të heroit Isa Boletini, në Vlorë. Ai ka thënë se institucionet komunale dhe ato qendrore duhet të jenë së bashku në këtë ceremoni.

“Ajo çka unë kërkoj nga të gjithë, është që kjo çështje të mos politizohet, sepse një gjë e tillë nuk do të ishte e ndershme. Unë gjithsesi do ta shqyrtoj këtë çështje dhe ju shpejt do të njoftoheni për vendimin përfundimtar. Nuk është e thënë që heroi ynë të rivarroset në Vlorë. Edhe pse ai tashmë, për shkak përmasave kombëtare që ka si personalitet i shquar, është i popullit, prapë se prapë, duhet parë vullnetin e familjarëve, por edhe të qytetarëve dhe institucioneve të Mitrovicës. Dhe për këtë, nuk ka pse të hidhërohet askush. Sido që të jetë, Isa Boletini, duhet të rivarroset në mënyrë dinjitoze, ashtu sikur që e meriton”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Shpërndaje në rrjete sociale