Haradinaj: Ky ligj është i papranueshëm, UÇK-ja nuk ka ekzistuar në vitin 1991

12:17 | 30 Dhjetor 2016
M. A.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, i ka quajtur mashtrues ordiner drejtuesit e shoqatave të luftës.

Ai ka shprehur qartazi mospajtimin e tij për kategorizimin e veteranëve të luftës, duke shtruar një varg pyetjesh lidhur me këtë çështje.

“Kush është UÇK-ja e vitit 1991? Kush dreqin janë ata njerëz? Nuk ka pasur Ushtri Çlirimtare të Kosovës në atë kohë. Nuk ka pasur. Ka pasur njerëz që kanë sakrifikuar, por nuk ka pasur çka po thuhet. Ne mund të bëjmë ligje të veçanta për të gjitha kategoritë që kanë sakrifikuar, por duhet që të jemi të saktë”.

Haradinaj ka deklaruar se ky kategorizim do të shkaktojë përçarje në popull dhe si i tillë është krejt i papranueshëm, sepse nuk mund të ndahen në të tilla grupe pjesëmarrësit e luftës.

“Kush janë ata njerëz që mund të na tregojnë cilët janë veteranë të vitit 1991, cilët të vitit 1998 dhe 1999. Krejt palidhje. Kjo gjë nuk ndodhë askund në botë. I kanë gënjyer veteranët se do të rritet paga për ta. Ju siguroj se ata që do t’i marrin 250 euro nuk do të jenë më shumë se 100 persona në krejt Kosovën”.

Më tutje ai ka theksuar se plotësim-ndryshimi i ligjit për veteranët nuk duhet të procedohet shpejtë, pasi në këtë formë ai i ndan veteranët.

“Unë e kuptoj kryeministrin kur thotë se jemi në presion nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për miratimin e ligjit. Por të mos ngutemi me këtë ligj. Tash 17 vjet pas, të mos i ndajmë veteranët. Kjo është kategori shumë e ndjeshme dhe nuk guxon të veprohet kështu. Kanë gabuar përfaqësuesit e shoqatave të luftës që kanë rënë në ndikim të kujtdo. Për mua prej sot këta njerëz nuk janë përfaqësues. Nuk më përfaqësojnë mua”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme