Elvis Rroshi nën hetim nga DEA. Prokuroria dërgon letër porosi në SHBA

23:15 | 20 Dhjetor 2016
Trina Galanxhi

Pasi Prokuroria e Përgjithshme njoftoi sot se Elvis Roshi duhet të lërë detyrën si rezultat i ligjit të Dekriminalizimit, rezulton se kryebashkiaku i Kavajës është hetuar edhe nga DEA.

Agjencia e lajmeve BIRN, që mbështetet nga ambasada amerikane, thotë se Elvis Rroshi dyshohet të jetë hetuar nga DEA, në vitin 2015 për implikim në trafik droge dhe pastrim parash.

Kështu, Prokuroria shqiptare ka dërguar letër-porosi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe po pret përgjigjen për të vendosur nëse ka ose jo vend për hetime të reja ndaj kryebashkiakut të Kavajës.

Sipas Prokurorisë, Rroshi kishte përdorur pesë emra të ndryshëm në disa vende të Europës. Hetuesit kanë dyshime se një nga emrat e përdorur është edhe Enver Roshi-njeriu që është  hetuar nga DEA.

“Në vitin 2015, DEA amerikane ka informuar autoritetet zvicerane se po hetonin një shtetas të quajtur Enver Rroshi për trafik droge dhe pastrim parash,” tha të martën në një deklaratë për mediat drejtoresha e kabinetit të Prokurorit të Përgjithshëm.

Roshi nuk ka deklaruar një dënim të vitit 1995 në Itali, një dëbim nga Zvicra në vitin 1993 pasi është ndaluar nga policia e Zyrihut për një rast droge dhe një dëbim të dytë nga Zvicra në vitin 1997. Sipas Prokurorisë, ai ka fshehur gjithashtu faktin se ka përdorur pesë emra të ndryshëm në lëvizjet e tij në Europë.

Shpërndaje në rrjete sociale