Nata e maturës për Baki Ahmetin (18 vjeçar), nxënës i shkollës së mesme teknike “Jonuz Zejnullahu” nga fshati Smirë i komunës së Vitisë, është shndërruar në një fatkeqësi.
Në orët e para të mëngjesit të së dielës, ai, duke e drejtuar automjetin “Opel Montrey” në aksin rrugor Gjilan-Ferizaj, ka humbur kontrollin mbi automjetin si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë me ç’rast edhe ka gjetur vdekjen ndërsa katër maturantë tjerë të cilët gjendeshin në veturë kanë marrë lëndime të lehta.
Këta nxënës, pas përfundimit të mbrëmjes së maturës, kishin vendosur që të shkojnë në Gjilan për të vazhduar ndenjën në një restorant ndërsa pjesa tjetër e nxënësve me vetura kishin shkuar në Ferizaj.
Për këtë tragjedi ka reaguar edhe drejtoria komunale e Arsimit në Viti duke i shprehur ngushëllime familjes, ndërsa kanë vizituar edhe të lënduarit.
Qahil Sinani, drejtor i Arsimit në Viti ka thënë se ata kanë monitoruar procesin e mbarëvajtjes së maturës duke mos lejuar konsumin e alkoolit ndërsa nuk kanë kompetenca për t’u ndaluar nxënësve vazhdimin e ndejës pas mbrëmjes.
Sipas tij, janë familjet e nxënësve përgjegjës për sigurinë e tyre meqë pjesa dërmuese u sigurojnë veturat private të cilat në të shumtën e rasteve bëhen burim i aksidenteve.
“Një grup i maturantëve, pasi e kanë përfunduar mbrëmjen e maturës, kanë vendosur që të shkojnë në Gjilan për të pirë kafe dhe në orën 4 të mëngjesit duke u kthyer për në shtëpi në kodër të Gjilanit janë rrokullisur me automjet ku edhe ka humbur jetën maturanti ndërsa katër të tjerë kanë mbetur të lënduar. Unë kam shkuar që t’i vizitoj ata në spital dhe fatmirësisht ata janë liruar nga tretmani mjekësor. Ne vetëm jemi përkujdesur që të mos lejojmë pirjen e alkoolit në mbrëmjen e maturës. Ndërsa ne nuk mund që të jemi përgjegjës për gjërat që vazhdojnë pas përfundimit të mbrëmjes”, ka thënë ai, raporton korrespodenti i “Kohës Ditore” nga Gjilani.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia. Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë Rajonale në Gjilan, ka thënë për Koha.net se viktima ka humbur drejtimin e automjetit si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë duke përfunduar jashtë rrugës me ç’rast edhe ka gjetur vdekjen.
“Dyshohet se deri tek vetëaksidenti ka ardhur derisa drejtuesi i automjetit “Opel Montrey”, duke qarkulluar në magjistralen Gjilan – Ferizaj, me të arritur përballë restorant “Shaqa”, duke mos ia përshtatur shpejtësinë automjetit të tij, humb kontrollin mbi automjet dhe përfundon jashtë rrugës në anën e djathtë të lëvizjes së tij, me ç’rast nga plagët e marra vozitësi i lartshënuar ndërron jetë, ndërsa të gjithë të lënduarit (pasagjerët) pas trajtimit mjekësor në Qendrën Emergjente në Gjilan, lëshohen në shtëpi”, ka thënë ai.
Hashani ka theksuar gjithashtu se viktima nuk ka poseduar patentë shoferi.
Ndërkaq Selami Kurteshi, zëdhënës i spitalit të Gjilanit, ka thënë se viktima është sjellë pa shenja jetë në këtë spital dhe se të lënduarit tjerë kanë pasur lëndime të lehta trupore.
“Viktima është sjellë pas shenja jete në Spitalin Regjional të Gjilanit derisa të tjerët që kanë pasur lëndime më të lehta janë trajtuar dhe janë liruar për shtëpi meqë gjendja e tyre është stabile”, ka thënë ai.
Ministri i jashtëm grek pritet të vizitojë Kosovën
Burri gjerman vret babanë dhe mban peng partneren
BE-ja lëshon 181 milionë eurot e programeve IPA për Kosovën
Kryeministri çek: BE-ja fillimisht ta fusë Ballkanin në Sche...
Përurohet ura e re për këmbësorë mbi lumin Ibër, Kurti bashk...
Ambasada e ShBA-së: Synojmë të punojmë me qeverinë e re për ...