Inspektorati e kalon me rekomandime “torturimin” e fëmijës

09:29 | 30 Gusht 2016
M. A.

Ndonëse prindi ishte ngujuar dhe nuk ishte lejuar të dalë nga Spitali, pasi kishte shprehur pakënaqësi për mënyrën e trajtimit të fëmijës së tij, Inspektorati Shëndetësor ka dhënë vetëm disa rekomandime për këtë rast. Prindi insiston se është plaçkitur pasi nuk lejohen pagesa për fëmijët. Këtë pikë e ka “prekur” edhe Inspektorati Shëndetësor

Vetëm me disa rekomandime ka përfunduar “tortura” që i është shkaktuar fëmijës 2-vjeçar, i cili ishte dërguar me prindin në Spitalin e Gjakovës e që më vonë rasti i tij ishte bërë objekt i trajtimit të Inspektoratit Shëndetësor. Gazeta “Zëri” një ditë më parë ka raportuar për keqtrajtimin që i është bërë fëmijës 2-vjeçar, kur prindi i tij e kishte dërguar për mjekim në Spitalin e Gjakovës.

Rasti kishte shkuar aq larg, sa Spitali ia kishte mbyllur dyert prindit që të mos lejohej të dilte pa nënshkruar, derisa prindi kishte shprehur pakënaqësi për mënyrën e trajtimit dhe nuk kishte pranuar të nënshkruajë asgjë gjersa aty ishin paraqitur zyrtarët policorë.

Në anën tjetër Ministria e Shëndetësisë, pas disa ditësh që ka pranuar pyetjet në lidhje me rastin e fëmijës A.K., ka njoftuar për rekomandimet që i janë dhënë Spitalit të Gjakovës lidhur me rastin në fjalë.

Ndonëse prindit nuk i janë kthyer paratë, të cilat ka dëshmuar se ia ka paguar Spitalit, Inspektorati Shëndetësor ka kërkuar nga Spitali që të respektojë të Drejtën për Shërbime Shëndetësore Falas për veteranët e UÇK-së dhe për familjarët e tyre të ngushtë. Kurse për sjelljet e stafit mjekësor ka kërkuar që ata të hidhen në Komisionin Disiplinor. Ministria, respektivisht Inspektorati Shëndetësor, do të duhej të njoftohej për masat e ndërmarra në këtë rast. Por nëse këto masa janë ndërmarrë, Ministria nuk ka dhënë asnjë sqarim. …(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës Zëri)

Shpërndaje në rrjete sociale