Për Serbinë, qesharake deklarata e Thaçit për njohjen e Kosovës!

15:25 | 16 Mars 2016
M. A.

Kërkesa e presidentit të porsazgjedhur, Hashim Thaçi, që Serbia ta njohë Kosovën, ka ngjallur reagime në Qeverinë e Aleksandër Vuçiqit.

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se këto deklarata të Thaçit janë qesharake, shkruan “Zeri.info”

Sipas tij, njohja e Kosovës është një thirrje e pavlerë nga presidenti Thaçi.

“Unë mund vetëm të qesh. Ne duam marrëdhënie normale me shqiptarët, nuk duam që çdo ditë të polemizojmë përmes mediave. Unë mendoj se do të jetë shumë më e përgjegjshme dhe serioze që në vend të shitjes së ëndrrave të mëdha dhe separatiste, të mendojnë se si të punësojnë 40 deri në 60 për qind e të papunëve në krahinën tonë jugore”, ka thënë Gjuriq para gazetarëve në Beograd.

Gjuriq më tej ka shtuar se Hashim Thaçi dhe ministrja për Dialog Edita Tahiri, vetëm mund të ëndërrojnë për mbylljen e institucioneve serbe në “Kosovë dhe Metohi”, transmeton “Zeri.info”

“Ky është një mesazh për serbët që thotë -ne nuk ju duam këtu. Unë jam i bindur se shumica e atyre njerëzve përgjegjës, serioz dhe të ndershëm nuk mendoj kështu dhe ne kurrë nuk do të lejojmë që institucionet tona të mënjanohen”, ka thënë Gjuriq.

Shpërndaje në rrjete sociale