VV me aksion simbolik, ia kujton Qeverisë viktimat e dhunimeve gjatë luftës

18:15 | 8 Mars 2016
M. A.

Me rastin e 8 Marsit- Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Lëvizja Vetëvendosje sot ka realizuar një aksion simbolik para Qeverisë së Kosovës, ku ka vendosur një baner me hartën e Kosovës me lokacionet ku kanë ndodhur krimet e dhunimeve nëpër Kosovë gjatë luftës.

Aktivistët e kësaj lëvizje thanë se Qeveria po vazhdon t’i injorojë viktimat e dhunës. Nol Nushi, aktivist i Lëvizjes VV, tha se Qeveria edhe më tej po zvarritë zbatimin e ligjit për viktimat e këtij krimi makabër.

Sipas tij, edhe pas kaq shumë vitesh pas luftës, akoma nuk ka asnjë të dënuar për këto krime të rënda dhe asnjë proces gjyqësor që po zhvillohet ndaj ndonjë ushtaraku apo zyrtari serb.

 

“Jemi mësuar ta shohim hartën e Kosovës në mënyra të ndryshme. Por kjo harta prapa meje, tregon për krimet, një ndër krimet më të rënda që ka bërë ushtria e Serbisë në luftën e fundit ndaj popullit të Kosovës. Emrat që shihni në këtë hartën prapa meje janë emrat e lokacioneve, ku janë përdhunuar mbi 20 mijë gra e vajza, si dhe burra e djem në luftën e fundit në Kosovë”, tha ai.

Po ashtu, Lëvizja Vetëvendosje, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas ka mbajtur një tubim për të diskutuar lidhur me moszbatimin, që ajo thotë të qëllimshëm nga Qeveria e Kosovës të ligjit për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se për mes dhunës seksuale dhe shkatërrimit ekonomik, Serbia ka dashur që të lë pasoja afatgjate në popullin tonë.

Shpërndaje në rrjete sociale