Policia: Në Prizren po qarkullojnë bankënota të falsifikuara

16:55 | 8 Mars 2016
M. A.

Policia e Kosovës në rajonin e Prizrenit ka shprehur shqetësim se kohëve të fundit në Prizren është vërejtur një dukuri në rritje, ku disa të dyshuar të panjohur po vënë në qarkullim bankënota false prej 50 eurosh. Këto bankënota, sipas Policisë, kanë cilësi të lartë dhe është vështirë të identifikohen.

Sipas Policisë, pagesat me paratë e falsifikuara po futen në treg me anë të shërbimeve dhe përmes pagesave.

“Njoftojmë opinionin publik se në Prizren kohëve të fundit është vërejtur një dukuri që në biznese private, kryesisht ato hoteliere por edhe të tjera, të dyshuar të panjohur po vënë në qarkullim bankënota false prej 50 euro por edhe të tjera me të cilat po bëhen pagesa për shërbime apo blerje të mallrave”, thuhet në komunikatë.

Policia bën apel tek qytetarët që të jenë të vëmendshëm gjatë përdorimit të parave dhe kurdoherë që vërejnë ndonjë dyshim ta informojnë policinë.

“Hetuesit thonë se imitimi i parave të falsifikuara është i një cilësie të lartë dhe paraqet problem për t’u diktuar.”

Shpërndaje në rrjete sociale