Aktivistja e LDK-së: Nuk më lejuan t’i bëjë pyetje kryeministrit

16:45 | 8 Mars 2016
M. A.

Në ditën e gruas, në shënimin e 26 vjetorit të Forumit të Gruas së LDK-së, njëra nga aktivistet e kamotshme të partisë nuk u lejua që të marri fjalën. Insistimit të saj që t’i drejtohej me një pyetje kryetarit të partisë, njëherit kryeministrit të vendit, Isa Mustafa, askush nuk ia morri për seriozisht.

Naxhije Bajraktari, anëtare e Forumit të Gruas në Lidhjen Demokratike të Kosovës, në solemnitetin e sotëm të organizuar nga gratë e LDK-së, kërkoi të marrë fjalën, por nuk iu dha kjo mundësi.

Pas fjalimit të Isa Mustafës, ajo provoj të ndërpres organizmin duke e kërkuar të drejtën e fjalës, por ceremonia vazhdoi në bazë të agjendës, dhe kërkesa e saj nuk u përfill. Kjo bëri që Bajraktari të lëshojë sallën në shenjë proteste, duke thënë se është e mllefosur me mos-përfilljen që iu bë nga partia, të cilës tha se i shërben plot 26 vjet.

 

“Jam aktivistja e parë, por e ceki e femrave, që vetëm unë kam marrë pjesë me burra në degën e tretë, pastaj u formua Forumi i Gruas. Jam shumë e mllefosur, kur një veprimtares 26-vjeçare nuk i epet f jala, atëherë çka po duan. Po i marrin prej rrugëve dhe po i sistemojnë ku po duan, kurse mua, jam veprimtarja e parë edhe nuk kam të drejtë me thënë mendimin tim, ose me bë një pyetje për kryeministrin”, tha ajo.

Për KosovaPress, ajo tregoj se i shërben LDK-së që nga viti 1990, dhe se ishte gruaja e parë në forumin e gruas së LDK-së, në degën e tretë të Ibrahim Rugovës.

Naxhije Bajraktari tha se ndjehet shumë e zhgënjyer, meqë në këtë 26 vjetor që përkon me Ditën e gruas asaj iu mohua e drejta për të shprehur mendimin e saj.

Shpërndaje në rrjete sociale