Mbi 50 për qind e punëtorëve në Kosovë, pa kontrata

18:44 | 6 Mars 2016
M. A.

Një numër i konsiderueshëm i të punësuarve në Kosovë, besohet se punojnë pa kontrata pune.

Shifrat e paraqitura nga institucionet publike që merren me këtë çështje, dallojnë nga ato të sindikatave, të cilat merren me mbrojtjen e punëtorëve në sektorin privat.

Derisa, në Inspektoratin e Punës thonë se në vitin 2015 kanë evidentuar rreth 1860 punëtorë pa kontrata, sindikalistët thonë se mbi 50 për qind e punëtorëve në tregun e punës nuk posedojnë kontrata pune dhe nuk janë të paraqitura në institucionet kompetente.

Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Basri Ibrahimi, thotë për Radion Evropa e Lirë se në vazhdimësi bëjnë inspektime, me ç’rast edhe kanë hasur në kompani, të cilat kanë bërë shkelje të Ligjit të Punës.

“Ende kemi punëtorë pa kontrata pune. Në vitin 2015 ne i kemi evidentuar 1860 punëtorë pa kontrata pune, por që nëse i krahasojmë me vitin 2014, atëherë shihet se ky numër është zvogëluar”, tregon Ibrahimi.

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, në kuadër të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, i konsideron të pavërteta këto të dhëna.

“Të dhënat që jep Inspektorati janë qesharake. Ne kemi të dhëna të argumentuara, ne kemi listën e kompanive që mbajnë punëtorë pa kontrata. Inspektorati i punës i Ministrisë, po jep shifra që shkojnë në favor të tyre, unë them që në Kosovë ka mbi 100 mijë të punësuar që nuk janë në sistemin e Administratës Tatimorë të Kosovës, si dhe 45 për qind e punëtorëve nuk kanë fare kontrata pune”, thotë Azemi.

Shpërndaje në rrjete sociale