Arrestohen tre persona në Obiliq, dyshohet se vidhnin nga veturat në parkingjet e restoranteve

15:42 | 22 Korrik 2026
H.E

Policia ka arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në disa raste të vjedhjeve nga automjetet, pas veprimeve intensive hetimore të zhvilluara nga hetuesit e Stacionit Policor në Obiliq.

Sipas Policisë, të dyshuarit dyshohet se kanë vepruar në mënyrë të organizuar dhe kanë përdorur vetura me qira për të kryer veprimtarinë kriminale.

Ata dyshohet se kanë hyrë në parkingjet e restoranteve gjatë ahengjeve dhe organizimeve familjare, ku kanë identifikuar automjete të pambyllura. Nga këto vetura, dyshohet se kanë vjedhur para dhe sende të tjera me vlerë.

Nga hetimet e deritanishme, ekziston dyshimi i bazuar se të arrestuarit nuk kanë vepruar vetëm në rajonin e Prishtinës, por kanë kryer vepra të ngjashme edhe në rajone të tjera të Kosovës.

Hetuesit policorë të Obiliqit, në koordinim me njësitë e hetimeve të rajoneve të tjera të Kosovës dhe Prokurorinë, po vazhdojnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rasteve.

Me vendim të prokurorit, tre të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa ndaj tyre po vazhdojnë procedurat e mëtejshme ligjore./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale