Inteligjenca artificiale ndihmon në zgjedhjen e antibiotikëve më të shpejtë

09:20 | 13 Qershor 2026
E H

Një studim i ri i realizuar në Itali tregon se inteligjenca artificiale mund të luajë rol të rëndësishëm në luftimin e rezistencës ndaj antibiotikëve, duke ndihmuar mjekët të zgjedhin më shpejt terapinë më të përshtatshme për pacientët.

Hulumtimi, i koordinuar nga IDI-IRCCS në Romë në bashkëpunim me disa institucione shkencore italiane, ka përdorur të dhëna klinike dhe mikrobiologjike të mbledhura në spitale për të zhvilluar një model të mësimit automatik.

Ky model krijon atë që studiuesit e quajnë “antibiogram digjital”, i cili parashikon ndjeshmërinë e baktereve ndaj antibiotikëve të ndryshëm me saktësi mbi 90%.

Studimi është bazuar në afro 10 mijë pacientë dhe mbi 15 mijë mostra bakteriale të analizuara ndërmjet viteve 2018 dhe 2024 në dy spitale italiane.

Sipas studiuesve, sistemi mund të japë parashikime deri në 48 orë më herët sesa antibiogrami tradicional, duke përshpejtuar vendimmarrjen mjekësore dhe duke përmirësuar trajtimin e infeksioneve, veçanërisht në rastet kur rezistenca ndaj antibiotikëve po rritet globalisht.