Policia arreston dy persona në Pejë të dyshuar për orientim të votuesve drejt Listës Serbe

18:28 | 7 Qershor 2026
H.E

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në fshatin Gorazhdec të Pejës, të dyshuar për aktivitete të kundërligjshme me qëllim të ndikimit në vullnetin e lirë të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor.

Sipas njoftimit të Policisë, Drejtoria Rajonale në Pejë ka pranuar më 7 qershor informacione se persona të caktuar po tentonin të orientonin dhe ndikonin te qytetarët që të votonin për Listën Serbe, transmeton Arbresh.info

Pas pranimit të informacionit, njësitë relevante policore kanë kryer bastisje, ku kanë hasur dhe arrestuar dy meshkuj kosovarë të nacionalitetit serb, të cilët dyshohet se janë të përfshirë në rast.

Të dyshuarit janë intervistuar nga hetuesit rajonalë dhe, me vendim të prokurorit të shtetit, janë ndaluar për 48 orë.

Njoftimi i plotë:

Policia e Kosovës sipas urdhrit operativ policor ka vazhduar angazhimet në mbrojtjen e rendit kushtetues, ligjshmërisë dhe integritetit të procesit zgjedhor në Republikën e Kosovës.

Drejtoria Rajonale e Policisё nё Pejё, me datë 07.06.2026, ka pranuar njё informacion, që ndërlidhet me dyshimet për aktivitete të kundërligjshme, me qëllim të ndikimit në vullnetin e lirë të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor, i cili dyshohet se ka ndodhur konkretisht në fshatin Gorazhdec-Pejë, për të orientuar, ndikuar te qytetarët që të votojnë Listën Serbe.

Ndërhyrjet dhe ushtrimi i ndikimit në zgjedhje, paraqesin kërcënim serioz për demokracinë, pavarësinë dhe vullnetin e lirë të qytetarëve, andaj bazuar në këtë njësitë relevante policore sot, kanë ndërmarr veprime konkrete, ku kanë kryer bastisje dhe hasur dy persona meshkuj kosovarë të nacionalitetit serb, të cilët dyshohet se janë përfshirë në rast, të njëjtit janë arrestuar dhe janё intervistuar nga hetuesit rajonal.

Të gjitha veprimet e mëtejme lidhur me rastin janё ndёrmarrё në bashkëpunim dhe koordinim me organet kompetente të drejtësisë, ndёrsa tё dyshuarit me vendim tё prokurorit tё shtetit janё ndaluar pёr 48-orё.
Veprimet policore dhe bashkëpunimi ndërinstitucional dëshmojnë përpjekjet aktive dhe vendosmërinë për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor dhe për të luftuar çdo përpjekje për të ndikuar në mënyrë të kundërligjshme në vullnetin e lirë të votuesve.

Policia e Kosovë vazhdon tu bëjë thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa dallim etnie, gjuhe, përkatësie politike apo bindjeje personale, që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës lirshëm e pa presion dhe për çdo rast të njoftojnë institucionet kompetente dhe Policinë e Kosovës./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale