Dy orë para mbylljes së vendvotimeve, të dhënat e “Demokracia në Veprim” tregojnë që interesimi i qytetarëve për të votuar është i ulët, ndërsa procesi në përgjithësi po rrjedhë i qetë.
Dalja në votime, sipas vëzhguesve të DnV-së, deri në orën 17:00 është rreth 29 për qind. Sa për krahasim, dalja në votime në kohën e njëjtë në dy palë zgjedhjet e kaluara parlamentare të mbajtura gjatë 2025 ishte rreth 39%, pra 10% më e lartë.
Regjionet me dalje më të madhe, sipas të dhënave të DnV-së, janë komunat me shumicë serbe (42%), pasuar nga rajoni i Prishtinës ku dalja është 33%. Dalje më e vogël në zgjedhje është regjistruar në rajonin e Gjakovës dhe Prizrenit, 23% respektivisht 24%.
Parregullsitë më të shprehura
-Vështirësitë e votuesve në gjetjen e vendvotimit
Edhe në pjesën e dytë të ditës, sipas njoftimit të DnV-së, ka pasur mjaft raste kur votuesit janë gjendur në vendvotime joadekuate. Nga hapja e vendvotimeve deri në orën 17:00, këto vështirësi janë raportuar në 65% të vendvotimeve, me deri në 10 raste. Në rajonin e Prishtinës dhe Pejës kjo dukuri ka qenë e shprehur edhe deri në 30 raste (në 12% të vendvotimeve).
-Votimi me asistencë
Trendi i votimit me asistencë që nga mëngjesi ka mbetur përgjithësisht i njëjtë, pra 0.2%, ndonëse është i përhapur në 55% të vendvotimeve. Rreth 78% të këtyre rasteve lidhen me asistimin e votueseve gra.
Votimi me asistencë nuk po evidentohet në 6% të vendvotimeve, deri në 10 raste.
Komisionerët në mbi 65% të vendvotimeve kanë vazhduar të kërkojnë dokumente mjekësore nga të gjithë qytetarët që kanë kërkuar të votojnë me ndihmën e dikujt tjetër. Për me tepër, në 45% të vendvotimeve nuk kanë lejuar që të votohet me asistencë pa dokumente mjekësore, përkundër insistimit të votuesve, sidomos në Prishtinë.
-Votimi me dokumente të pavlefshme
Deri në orën 17:00, raste të votimit me dokumente me afat të skaduar janë hasur në 25% të vendvotimeve, deri në 4 raste.
-Fotografimi i votës
Deri në orën 17:00, raste të fotografimit të votës kanë qenë gjithsej 25, të hasura në 4% të vendvotimeve.
-Incidentet serioze
Është raportuar edhe për disa incidente që kanë të bëjnë me tentime për të votuar në emër të familjarëve të tyre, por që të gjitha janë trajtuar nga policia në mënyrë profesionale.
“Tani kur kanë mbetur edhe dy orë deri në mbyllje të vendvotimeve, DnV u bën thirrje qytetarëve të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar. Pjesëmarrja në zgjedhje përveç që është e drejtë themelore, është edhe përgjegjësi dhe mjet i fuqishëm për të ndikuar në drejtimin e qeverisjes së vendit”, thuhet në njoftim.
Nis numërimi i votave të para
KQZ publikon shifrat: 712 mijë qytetarë votuan në zgjedhje, ...
Haxhiu bën thirrje që të ruhen votat: Zëri i qytetarëve duhe...
Këtu mund t’i ndiqni rezultatet preliminare të zgjedhjeve
“Sytë tanë janë te ju”, Kurti mesazh komisionerëve dhe vëzhg...
LDK merr mbi 17% për qind