Google do t’i paguajë SpaceX 920 milionë euro në muaj për marrjen e kapaciteve kompjuterike

23:25 | 6 Qershor 2026
E H

Google ka nënshkruar një marrëveshje të madhe me SpaceX për marrjen me qira të kapaciteteve kompjuterike të kompanisë së drejtuar nga Elon Musk. Sipas marrëveshjes, Google do të paguajë rreth 920 milionë euro në muaj për një periudhë 32-mujore, duke shënuar një nga kontratat më të mëdha në sektorin e infrastrukturës së inteligjencës artificiale.

Marrëveshja pasqyron ndryshimin e rolit të dy kompanive krahasuar me pesë vite më parë, kur ishte Google që furnizonte SpaceX me burime kompjuterike për zhvillimin e shërbimit satelitor të internetit Starlink. Situata ndryshoi ndjeshëm pas blerjes së kompanisë së inteligjencës artificiale xAI nga SpaceX në shkurt 2026, duke krijuar një strukturë të përbashkët që operon qendra të mëdha të të dhënave me kapacitet informatik mbi 2 gigavat.

Kontrata vjen vetëm pak ditë përpara ofertës fillestare publike të planifikuar të SpaceX. Kompania ka njoftuar gjithashtu marrëveshje të ngjashme me Anthropic, ndërsa synon të dalë në bursë me një vlerësim që raportohet se mund të kalojë 1.75 trilion dollarë. Analistët vlerësojnë se bashkëpunimi me Google mund të rrisë më tej interesin e investitorëve për IPO-n e kompanisë.

Në dokumentacionin paraprak të ofertës publike, SpaceX theksoi se infrastruktura e saj kompjuterike i jep fleksibilitet të konsiderueshëm për ndarjen dhe monetizimin e kapaciteteve të disponueshme, duke e pozicionuar kompaninë si një nga lojtarët kryesorë në tregun global të inteligjencës artificiale dhe qendrave të të dhënave./euronews

Shpërndaje në rrjete sociale