Përmbyllet me sukses procesi i votimit në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë

20:00 | 6 Qershor 2026
E H

Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Gjenevë ka njoftuar se procesi i votimit është përmbyllur me sukses, në një atmosferë të qetë, të rregullt dhe dinjitoze.

Përmes një postimi në Facebook, Konsullata ka falënderuar të gjithë bashkatdhetarët që morën pjesë në votim, duke vlerësuar kulturën qytetare, maturinë dhe bashkëpunimin e treguar gjatë gjithë procesit zgjedhor.

Po ashtu, falënderime të veçanta iu janë adresuar komisionerëve, vëzhguesve dhe stafit mbështetës për angazhimin, korrektësinë dhe profesionalizmin e treguar deri në përfundimin e procesit.

Sipas njoftimit, votimi u zhvillua pa probleme dhe në përputhje me procedurat e përcaktuara, duke mundësuar pjesëmarrjen e qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Zvicër në procesin zgjedhor.

Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Gjenevë e cilësoi mbarëvajtjen e procesit si një dëshmi të angazhimit dhe përgjegjësisë qytetare të diasporës kosovare./Arbresh.info