Ngjarje e rëndë në Itali, ndërtesa rrënohet pas shpërthimit të gazit

19:36 | 6 Qershor 2026
E H

Një shpërthim i fuqishëm i shkaktuar nga rrjedhja e gazit ka shembur një pallat të vogël në orët e para të mëngjesit në Porto Sant’Elpidio, në rajonin Marche të Italisë, duke shkaktuar tre viktima dhe dy të plagosur.

Sipas informacioneve paraprake, shpërthimi ndodhi pak para orës 06:00 në Via Trentino, menjëherë pasi ishte ndezur drita në një prej banesave, çka dyshohet se ka ndezur gazin e grumbulluar në ambient.

Mes viktimave janë një 47-vjeçar, një 90-vjeçare dhe djali i saj 60-vjeçar, i cili fillimisht ishte nxjerrë i gjallë nga rrënojat, por më pas nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve.

Në ndërtesë jetonin dy familje, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit zgjatën për disa orë, me angazhimin e zjarrfikësve, ekipeve të emergjencës dhe forcave të rendit.

Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e sakta të ngjarjes.

Kryeministrja Giorgia Meloni shprehu ngushëllime për familjet e viktimave dhe solidaritet me të plagosurit, duke thënë se po e ndjek nga afër situatën.

Edhe kryetari i bashkisë së Porto Sant’Elpidio e cilësoi ngjarjen si një “ditë të tmerrshme” për qytetin.