Sa vlen fitorja e Kupës së Botës/ Të ardhurat dhe shpërblimet për edicionin më të pasur të të gjitha kohërave

17:15 | 5 Qershor 2026
E H

871 milionë dollarë, ky është shpërblimi i miratuar nga FIFA në muajin prill në Vancouver për Botërorin që do të nisë javën e ardhshme në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Një shifër kjo e jashtëzakonshme, 15% me e lartë se shpërblimi fillestar prej 727 milionë dollarë që u miratua në Këshillin e Dohas në muajin dhjetor.

Pa harruar këtu bonuset për kualifikimin dhe përgatitjen që konsiderohen më vete. Por si do të shpërndahet kjo shumë e madhe me 48 skuadrave pjesëmarrëse?

Skuadrat që janë kualifikuar kanë të drejtë të përfitojnë 10 milionë dollarë secila dhe në prag të përgatitjeve të Botërorit në Amerikës së Veriut përfitojnë edhe 2.5 milionë dollarë secila. Ashtu siç e bëri të ditur edhe vetë FIFA, do të shpërndahen 16 milionë dollarë të tjerë si kontribute shtesë për skuadrat. Shumë që i referohet shpenzimeve të delegacionit dhe për alokime më të mëdha për shitjen e biletave. Në këtë mënurë arrihet shuma totale prej 871 milionë dollarë.

Skuadrat që do të eliminohen që në fazën e grupeve(nga vendi i 33 në të 48) do të përfitojnë një ‘dëmshpërblim’ prej 9 milionë dollarë secila. Skuadrat që eliminohen në 1/16 e finaleve (nga vendi i 17 në të 32) do të përfitojnë 11 milionë dollarë. Të eliminuarat në 1/8 e finaleve do të sigurojnë 19 milionë dollarë.

Shifrat rriten në mënyrë drastike te 4 ekipet më të mira. Skuadra e vendit të katërt do të përfitojë 27 milionë dollarë, ajo e vendit të tretë, 29 milionë dollarë. Finalistja e Botërorit do të arkëtojë 33 milionë dollarë, ndërsa skuadra kampione e botës, përvec trofeut prestigjioz do të përfitojë edhe 50 milionë dollarë. /tch

Shpërndaje në rrjete sociale