Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka nënshkruar sot Udhëzimin Administrativ për Pagesat Direkte – Subvencionet 2026, duke hapur rrugën për fillimin e procesit të mbështetjes së fermerëve përmes skemave të pagesave direkte për vitin e ardhshëm.
Me këtë udhëzim, Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë obligohet të hapë thirrjen për aplikim, ndërsa pagesat do të realizohen pas procesit të verifikimit, sipas afateve të përcaktuara në aktin nënligjor.
Udhëzimi Administrativ për vitin 2026 sjell rritje të konsiderueshme të mbështetjes për sektorët prioritarë të bujqësisë. Ndër risitë kryesore janë rritja prej 30% për sipërfaqet e mbjella me perime në fushë të hapur dhe në serra, si dhe për sipërfaqet e mbjella me pemë. Po ashtu, rritje prej 20% është paraparë për pagesat e grurit me rendiment të lartë, për sipërfaqet e mbjella me mjedra, patate dhe fasule, si dhe për mbështetjen e mëshqerrave për riprodhim dhe viçave për majmëri.
Përveç kësaj, mbështetja për vreshtat rritet për 10%, ndërsa fermerët e sektorit të qumështit do të përfitojnë subvencion prej 7 centësh për litër qumësht të dorëzuar. Paketa përfshin gjithashtu 100 euro shtesë për secilin fermer që kultivon hektarin e parë, 100 euro për hektar për plehun artificial, 54 euro për hektar për naftën, si dhe 500 euro mbështetje për të rinjtë dhe të rejat e moshës 18–29 vjeç që regjistrohen për herë të parë në skemat e pagesave direkte.
Ministri në detyrë Armend Muja tha se kjo paketë paraqet një hap të rëndësishëm drejt forcimit të prodhimit vendor dhe rritjes së sigurisë ushqimore në vend.
“Me subvencionet e vitit 2026 po orientojmë më shumë mbështetje aty ku ka më shumë prodhim, më shumë vlerë të shtuar dhe më shumë potencial për zhvillim. Qëllimi ynë është të fuqizojmë fermerin aktiv, të rrisim konkurrueshmërinë e bujqësisë sonë dhe të krijojmë kushte më të mira për prodhim vendor e zhvillim rural”, theksoi ministri Muja.
Ai shtoi se një nga risitë më të rëndësishme të këtij udhëzimi është konceptimi i tij si një kornizë afatgjatë, në përputhje me praktikat e Bashkimit Evropian.
Sipas ministrit Muja, kjo qasje do të mundësojë që në vitet e ardhshme thirrjet për aplikim të hapen me kohë dhe të harmonizohen me kalendarin e punëve bujqësore, duke u ofruar fermerëve siguri më të madhe dhe mundësi më të mira për planifikimin e prodhimit dhe investimeve./Arbresh.info
Pas dy orësh në hapësirë, astronautët rikthehen në stacion
Brikena zyrtarizon ndarjen me Mateon: Rrugët tona janë ndarë
Haxhiu në Samitin BE-Ballkani Perëndimor: Kosova është e gat...
Sa vlen fitorja e Kupës së Botës/ Të ardhurat dhe shpërblime...
Dolce tërheq vëmendjen me fotografinë e saj të fundit
Franca dhe Gjermania propozojnë integrim gradual të Ballkani...