Aksion antidrogë në Gjakovë, arrestohen katër persona – konfiskohen armë dhe para të gatshme

15:15 | 5 Qershor 2026
E.K

Katër persona janë arrestuar sot në Gjakovë nën dyshimin për përfshirje në veprimtari të paligjshme që lidhen me narkotikët, pas një aksioni të zhvilluar nga Policia e Kosovës.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, njësitet e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN), me urdhër të Gjykatës Themelore në Gjakovë, kanë realizuar bastisje në shtëpi dhe objekte përcjellëse të disa personave të dyshuar në këtë qytet.

Gjatë operacionit policor janë sekuestruar rreth 294 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, 124 gramë heroinë, 13 gramë marihuanë, si dhe 116 gramë substancë tjetër narkotike e llojit ende të paidentifikuar.

Po ashtu, policia ka konfiskuar një armë zjarri të shkurtër me dy fishekë, një pushkë ajrore pa numër serik, 90 fishekë të kalibrave të ndryshëm, pesë telefona mobilë dhe para të gatshme në vlerë prej 6,536.76 euro, 474 dollarë amerikanë dhe 60 franga zvicerane.

Të dyshuarit janë shoqëruar në zyrat e DHTN-së në Gjakovë për intervistim, ndërsa ndaj tyre është iniciuar procedurë penale për veprën “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Me urdhër të prokurorit kujdestar, katër të arrestuarve u është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.

Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit, veçanërisht të trafikimit dhe shpërndarjes së narkotikëve, me qëllim garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët.