Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka prezantuar dy vendime që synojnë mbrojtjen e prodhuesve vendorë dhe rregullimin e importeve nga Serbia.
Ajo bëri të ditur se është iniciuar hetim për importin e farës së grurit me origjinë nga Serbia, pas dyshimeve për shitje me çmime dumping, me qëllim dëmtimin e prodhuesve vendorë.
Sipas saj, vendimi është bazuar në ankesa të prodhuesve dhe analiza të institucioneve përkatëse, përfshirë Doganën e Kosovës dhe Ministrinë e Bujqësisë.
“Sot në cilësinë e ministres në detyrë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Inovacionit, kam ftuar këtë konferencë për t’ju informuar juve dhe qytetarët e Kosovës lidhur me dy vendime të rëndësishme që kemi marrë ndaj Serbisë, të cilat kanë për qëllim mbrojtjen e bizneseve vendore nga praktikat e padrejta tregtare. Të dyja këto vendime janë të bazuara në analiza statistikore dhe janë në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi. Ditën e djeshme, kam marrë vendim për fillimin e hetimit zyrtar lidhur me importin e farës së grurit me origjinë nga Serbia. Ky vendim është rezultat i një ankese të paraqitur nga kompanitë prodhuese vendore të farës së grurit, të cilat kanë ngritur dyshime se fara e grurit e importuar nga Serbia po shitet me çmime dumping, duke dëmtuar prodhimin vendor. Për këtë arsye, në përputhje me legjislacionin në fuqi, është vendosur inicimi i hetimit zyrtar për të vlerësuar ekzistencën e praktikave të dumpingut dhe ndikimin e tyre në industrinë vendore”, tha ajo.
FIFA ndalon vuvuzelat dhe shishet e ujit në stadiumet e Botë...
Franca dhe Gjermania propozojnë integrim gradual të Ballkani...
Haxhiu nga Tivati: E ardhmja e Kosovës është në BE
Nis protesta për mbrojtjen e gjuhës shqipe para Ambasadës së...
Von der Leyen: Mali i Zi është afër anëtarësimit në Bashkimi...
Të shtëna me armë në një ceremoni diplomimi në Kaliforni, pl...