Pacolli: Kompleksi Memorial “Adem Jashari” po jetësohet, gati për shqyrtim publik Plani Hapësinor

19:23 | 4 Qershor 2026
E.G

Ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka njoftuar se është përfunduar Plani Hapësinor për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” dhe dokumenti tashmë është i gatshëm për Shqyrtim Publik, duke e cilësuar këtë si hap të rëndësishëm në mbrojtjen e trashëgimisë historike dhe identitetit shtetëror.

Sipas saj, projekti parasheh mbrojtje të pakompromis të 450 hektarëve në Prekaz të Poshtëm, Klinë të Ulët dhe Skenderaj, duke trajtuar njëkohësisht aspektet mjedisore, infrastrukturore dhe zhvillimore për 1,277 banorët e zonës.

“Kompleksi Memorial ‘Adem Jashari’ po jetësohet! Projekti më i rëndësishëm për ruajtjen e kujtesës sonë historike, trashëgimisë kulturore dhe identitetit shtetëror po jetësohet. Në prezantimin e Master Planit për Kompleksin Memorial Kompleksi Memorial ‘Adem Jashari’, dëshmuam se përkushtimin ndaj historisë sonë nuk e lëmë në fjalë, por e shndërrojmë në veprime konkrete dhe vendime të rëndësishme shtetërore.”, ka shkruar ajo.

“Ministria jonë ka përfunduar Planin Hapësinor për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” dhe tashmë është i gatshëm për Shqyrtim Publik. Ky dokument është vizion i qartë kombëtar: Mbrojtje e pakompromis, i cili siguron mbrojtjen e pacenueshme të 450 hektarëve të historisë sonë në Prekaz të Poshtëm, Klinë të Ulët dhe Skenderaj. Projekti trajton mjedisin, infrastrukturën dhe ekonominë, që 1,277 banorët e zonës të jetojnë dhe të prosperojnë me dinjitet. Rregull i plotë: Pas shqyrtimit publik, kalojmë në Planet Rregulluese të Hollësishme. Integriteti i Kompleksit nuk do të lihet më kurrë në mëshirë të ndërtimeve të pakontrolluara. Përmes këtij projekti po sigurojmë që sakrifica sublime e Jasharëve dhe identiteti shtetëror i Republikës së Kosovës të mbrohen me ligj dhe t’u lihen të pacenuara brezave që vijnë.”, shtoi Pacolli.

Me përkushtim për dinjitetin e historisë dhe të ardhmen e shtetit tonë!”

Pacolli theksoi se pas përfundimit të shqyrtimit publik do të vazhdohet me hartimin e Planeve Rregulluese të Hollësishme, duke garantuar mbrojtje ligjore dhe planifikim të qëndrueshëm për zonën e Kompleksit Memorial./Arbresh.info