Për shkak të temperaturave të larta që po mbizotërojnë ditëve të fundit, Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjakovë ka vendosur të shkurtojë kohëzgjatjen e orëve mësimore në shkollat fillore dhe të mesme të ulëta.
Drejtori i Arsimit në Gjakovë, Hysen Brahimaj, tha për RTK-në se vendimi është marrë për shkak të temperaturave të larta dhe mungesës së kushteve adekuate në shumicën e objekteve shkollore.
Sipas tij, shumë shkolla nuk janë të pajisura me sisteme klimatizimi, gjë që e vështirëson zhvillimin normal të procesit mësimor gjatë ditëve me temperatura të larta.
“Për shkak të temperaturave të larta që mbizotërojnë në rajonin tonë dhe paralajmërimit për temperatura të larta, për shkak të shëndetit të fëmijëve… shumica e shkollave nuk i kanë kushtet që ne i kemi si qëllim për mbarëvajtjen e orës mësimore si duhet. Të gjitha shkollat nuk kanë klima në objektet e tyre, andaj kemi marrë një vendim prej 45 minutave orët të zgjasin 40 minuta”, tha Brahimaj.
Ai theksoi se siguria dhe shëndeti i nxënësve mbeten prioritet për institucionet arsimore, ndërsa shtoi se aktualisht nuk është vlerësuar e nevojshme ndërmarrja e masave të tjera.
“Siguria edhe shëndeti i fëmijëve është primare për neve, andaj jemi munduar me u përshtat. Për momentin nuk e shohim të arsyeshme ndonjë masë tjetër, mirëpo këtë kemi pasur mundësi edhe e kemi bërë për shkak të shëndetit të fëmijëve”, u shpreh ai.
Brahimaj vlerësoi se shkurtimi i orëve mësimore nuk do të ndikojë negativisht në procesin arsimor. Përkundrazi, sipas tij, vendimi ndihmon në krijimin e kushteve më të favorshme për zhvillimin e mësimit gjatë temperaturave të larta.
Ai bëri të ditur se masa është e përkohshme dhe se situata do të monitorohet në vazhdimësi.
“Kjo gjendje do të shihet në vazhdimësi varësisht prej situatës, është një vendim i përkohshëm. Do ta shqyrtojmë ndoshta prej 40 minutash në 35, varësisht, mirëpo nuk shohim në zbritje të kohëzgjatjes së orës mësimore më tutje”, tha drejtori i Arsimit.
Vendimi ka hyrë në fuqi këtë javë dhe përfshin të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të ulëta në komunën e Gjakovës.
Në Gjakovë kanë mbetur edhe rreth dy javë deri në përfundimin e vitit shkollor, ndërsa autoritetet arsimore thonë se do të vazhdojnë ta përcjellin situatën meteorologjike dhe gjendjen në shkolla për të vlerësuar nevojën për masa të mëtejshme.
“Pesë shokët nga Kosova u futën në det…”, ...
Formacionet zyrtare, Shqipëri – Izrael: Maran befason ...
Trump: Po mos të isha unë, Izraeli nuk do të ekzistonte
Kongresisti Self: Kosova në NATO, thelbësore për stabiliteti...
Forcohet bashkëpunimi Kosovë–Francë në luftën kundër krimit ...
Rreth 90 shtetas të Serbisë dëbohen nga aeroporti i Tivatit ...