Në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit ka nisur procesi i skriningut neonatal për foshnjat e porsalindura. Neonatologët vlerësojnë se ky është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të kujdesit shëndetësor për të porsalindurit në Kosovë.
Pas fillimit të skriningut neonatal në Klinikën e Neonatologjisë në QKUK dhe në Spitalin e Mitrovicës, ky testim tashmë ka nisur të zbatohet edhe në Spitalin e Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren. Ushtruesi i detyrës së shefit të Repartit të Neonatologjisë, Ergin Tokay, tha për Radio Kosovën se kjo procedurë po aplikohet për herë të parë në këtë institucion, duke mundësuar zbulimin e hershëm të sëmundjeve metabolike dhe gjenetike, para se ato të shfaqin simptoma klinike.
“Skriningu neonatal është një seri testesh mjekësore që kryhen te të porsalindurit. Testi zakonisht bëhet pas lindjes, brenda 24 deri në 72 orëve të para. Merret një pikë gjaku nga thembra e foshnjës për të kontrolluar sëmundjet metabolike, hormonale dhe gjenetike. Për shembull, hipotiroidizmin kongjenital ose fenilketonurinë, me qëllim që të zbulohen sa më herët sëmundjet e fshehura që nuk japin shenja menjëherë pas lindjes”, tha Tokay.
Sipas tij, përmes një procedure të thjeshtë, të sigurt dhe pa rrezik për foshnjat, krijohen mundësi për diagnostikim dhe trajtim në kohë. Ai theksoi se skriningu neonatal mundëson identifikimin e një sërë sëmundjesh që, nëse zbulohen herët, mund të trajtohen me sukses dhe të shmangen komplikimet serioze.
“Skriningu përfshin kontrollin e funksionit të gjëndrës tiroide. Nëse tiroidja nuk prodhon mjaftueshëm hormone dhe kjo nuk zbulohet herët, mund të shkaktojë vonesa mendore dhe fizike. E dyta është fenilketonuria, një sëmundje në të cilën trupi nuk e përpunon si duhet një aminoacid; nëse nuk trajtohet me kohë, mund të çojë në dëmtime të trurit. E treta është distrofia muskulore, e cila shkakton humbje të masës muskulore dhe, në raste të avancuara, paralizë. Ndërsa e katërta është fibroza cistike, e cila prek mushkëritë dhe organet e tretjes”, tha ai.
Aktualisht, testimi kryhet për të gjithë të porsalindurit në Klinikën e Neonatologjisë në QKUK, në Spitalin e Mitrovicës dhe tashmë edhe në Spitalin e Prizrenit, pas 24 orëve të para të lindjes së foshnjës. Institucionet shëndetësore kanë paralajmëruar se ky proces pritet të zgjerohet edhe në spitalet e tjera rajonale, si dhe në sektorin privat.
Macron: Fitorja e Magyar shënon fillimin e një epoke të re n...
Costa, mesazh liderëve politikë: BE-ja nuk mund t’i bëjë det...
Vizita e Costas në Kosovë, i pranishëm në takimin me Kurtin ...
Kuvajti shpall “non grata” dy diplomatë iranianë
Costa u bën thirrje liderëve: Integrimi evropian mbi ndarjet...
Një fluturim nga Beogradi ndalohet në aeroportin e Tivatit, ...