Allegri po shijon orët e fundit si trajner i Milanit, raporton Gazzeta dello Sport.
Napoli është gati ta emërojë trajnerin e ri, por fillimisht Allegri duhet të mbyllë çdo raport kontraktual me Milanin. Pikërisht për këtë arsye, agjentët e tij do të zhvillojnë sot një takim me drejtuesit e klubit kuqezi.
Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, dëshiron ta finalizojë sa më shpejt marrëveshjen dhe ta prezantojë trajnerin e ri para nisjes së tij për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe vetë Allegri po shtyn përpara procesin e largimit nga Milani, në mënyrë që të përqendrohet vetëm te aventura e re në “Diego Armando Maradona”.
Sot në “Casa Milan” është planifikuar një takim i rëndësishëm mes Massimo Calvellit, anëtar i bordit drejtues të Milanit, dhe përfaqësuesve të Allegrit. Tema kryesore do të jetë zgjidhja e kontratës së trajnerit, i cili ka ende një vit kontratë me klubin.
Pas shkarkimit, Allegri kishte kërkuar një dëmshpërblim të konsiderueshëm nga Milani. Nga ana tjetër, klubi kuqezi ka shprehur gatishmërinë të mbulojë diferencën mes pagës që trajneri do të fitonte te Milani dhe asaj që i është ofruar nga Napoli. Sipas raportimeve, palët ndahen nga rreth një milion euro dhe nëse arrihet kompromisi, marrëveshja mund të mbyllet menjëherë.
Calvelli, i cili ka marrë kompetencat e ish-drejtorit ekzekutiv Giorgio Furlani, do të udhëheqë negociatat me stafin e Allegrit. Të gjitha palët shpresojnë që dita të përfundojë me një marrëveshje të firmosur, në mënyrë që secili të përqendrohet te e ardhmja.
Ndërkohë, Napoli vazhdon të presë, por zgjedhja e Allegrit nuk është vënë asnjëherë në dyshim. De Laurentiis e ka admiruar dhe kërkuar trajnerin italian prej vitesh dhe tani, kur gjithçka duket se po shkon në drejtimin e duhur, mbetet vetëm pak durim.
Vështirë se Allegri do të arrijë ta mbyllë sot marrëveshjen me Milanin dhe të firmosë menjëherë me Napolin, por dokumentacioni për kontratën e re tashmë po përgatitet nga juristët e të dyja palëve.
Kontrata e re do ta lidhë Allegrin me Napolin për dy sezone, me opsion rinovimi edhe për një vit tjetër në favor të klubit. Trajneri pritet të përfitojë 4.5 milionë euro në sezon plus bonuse, ndërsa është parashikuar edhe një shpërblim i veçantë në rast fitimi të titullit kampion.
Nëse gjithçka shkon sipas planit, nuk përjashtohet mundësia që Allegri të takohet që sot me drejtorin sportiv të Napolit, Giovanni Manna, për të diskutuar projektin sportiv të klubit./Arbresh.info
Shefja e BE-së në Prishtinë: Sa më shpejt, Kosova ka nevojë ...
Provedel në “radarin” e Interit
Muja: Integrimi evropian udhërrëfyes për reformat në bujqësi
Vendosen tabelat me emra të rinj të rrugëve në Mitrovicën e ...
GAP dhe KLGI kundërshtojnë tarifën për hyrje në Prishtinë
Përballje historike në UFC: Denis Buzukja përballë rivalit r...