Osmani e gatshme të tërhiqet: Emri im s’do shndërrohet në arsye për bllokadë

23:00 | 2 Qershor 2026
E.G

Bartësja e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe kandidatja e kësaj partie për presidente, Vjosa Osmani, ka deklaruar se emri i saj nuk do të bëhet pengesë për formimin e institucioneve të vendit, duke theksuar se është e gatshme të tërhiqet nëse kjo do t’i shërbente tejkalimit të bllokadave politike pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

Osmani ka thënë se asnjëherë nuk ka insistuar që me çdo kusht të marrë një mandat të dytë presidencial dhe se prioritet i saj mbetet forcimi i institucioneve të Kosovës.

“Në asnjë moment emri im nuk do të shndërrohet në arsye për bllokadë. Jo për shkak se unë e kam bërë të qartë edhe para se të fillojë bashkëpunimi me LDK-në, edhe kur kam shprehur interesim që të kandidojë për një mandat të dytë, në asnjë mënyrë nuk kam insistuar, nuk kam pasur me patjetër. Do të tërhiqem e para nëse mund t’i japim vendit institucione të forta”, ka deklaruar Osmani në “Zgjedhjet në KOHË”.

Ajo ka thënë se angazhimi i saj ka qenë i përqendruar në avancimin e interesave strategjike të Kosovës në raport me aleatët ndërkombëtarë, duke përmendur bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera partnere.

Sipas Osmanit, gjatë këtij mandati është hapur një kapitull i ri në raportet me SHBA-në dhe aleatët e tjerë, me synimin për ta afruar Kosovën drejt anëtarësimit në NATO dhe për të përmbyllur procesin e njohjeve ndërkombëtare.

“Interesimi im i vetëm ka shkuar në drejtim të asaj meqenëse e fituam një kapitull të ri bashkëpunimi me SHBA-në dhe shtetet e tjera aleate, ku diskutuam për një rrugë të qartë përpara edhe me presidentin Trump dhe sekretarin Rubio, që Kosovën ta shpijmë në NATO, ta përmbyllim procesin e njohjeve. Arritëm që brenda këtij viti, me punën e afërt me administratën Trump, ta marrim një lloj betonimi për paprekshmërinë e kufijve tanë”, ka thënë Osmani.