Sëmundjet kronike vazhdojnë të jenë ndër shkaktarët kryesorë të vdekjeve në Kosovë, ndonëse shumë prej tyre mund të parandalohen përmes masave efektive dhe me kosto të përballueshme, të njohura si “Best Buys”. Në një intervistë për Radio Kosovën, drejtoresha e Departamentit të Mjekësisë Sociale në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), prof. dr. Merita Koçinaj-Berisha, tha se parandalimi mbetet një nga sfidat kryesore të sistemit shëndetësor.
Sëmundjet kardiovaskulare, diabeti dhe sëmundjet malinje vazhdojnë të rëndojnë shëndetin e qytetarëve në Kosovë. Sipas prof. dr. Merita Koçinaj-Berishës, drejtoreshë e Departamentit të Mjekësisë Sociale në IKSHPK, një pjesë e madhe e tyre mund të parandalohen përmes ndërhyrjeve të njohura si “Best Buys”.
“‘Best Buys’ janë ndërhyrje të bazuara në evidenca që synojnë kontrollin dhe parandalimin e faktorëve të rrezikut për sëmundjet jo ngjitëse (SJN). Ato zbatohen si në nivel individual, ashtu edhe në nivel të popullatës, me qëllim përmirësimin e shëndetit publik përmes masave efektive dhe me kosto të përballueshme”, tha Koçinaj-Berisha.
Këto masa, sipas saj, përfshijnë luftimin e përdorimit të duhanit dhe konsumit të alkoolit, promovimin e ushqyerjes së shëndetshme, aktivitetit fizik dhe vaksinimit. Ajo shtoi se, megjithëse zbatimi i tyre në Kosovë mbetet i pjesshëm, Ligji për Kontrollin e Duhanit ka sjellë rezultate pozitive, veçanërisht te të rinjtë.
“Një ndërhyrje shumë kosto-efektive, duke pasur parasysh se parandalimi është më i lirë sesa trajtimi i sëmundjeve të avancuara, është vaksinimi kundër HPV-së (Human Papillomavirusit), i cili tashmë ka filluar të zbatohet edhe në Kosovë. Po ashtu, kemi programe të tjera parandaluese, si reduktimi i konsumit të kripës dhe sheqerit. Reduktimi i konsumit të kripës rezulton në uljen e prevalencës së sëmundjeve të zemrës. Këto ndërhyrje jo vetëm që përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve, por edhe reduktojnë kostot afatgjata për sistemin shëndetësor”, tha ajo.
Koçinaj-Berisha theksoi se mungesa e masave parandaluese ndikon në rritjen e vdekshmërisë, uljen e cilësisë së jetës dhe shtimin e kostove për sistemin shëndetësor, duke bërë thirrje për forcimin e programeve preventive dhe zbulimin e hershëm të sëmundjeve.
Doue hyn në histori të Ligës së Kampionëve
Presidentja në detyrë priti Rainer Rudolph
Zbulohet se çfarë i tha Marquinhos bashkëkombasit të tij pas...
Oda Ekonomike e Kosovës jep lajmin historik: “Made in Kosova...
Grabitet me armë një bankë e nivelit të dytë në Tiranë
Barazhi i Superligës, të shtunën në Drenas