Osimhen në “radarin” e Atleticos, në rast të largimit të Julian Alvarezit

09:11 | 2 Qershor 2026
D.H

Vera pritet të jetë shumë e ngarkuar për Atlético Madrid, i cili po planifikon ndryshime të rëndësishme në skuadër për sezonin e ardhshëm.

Sipas raportimeve nga Spanja, trajneri Diego Simeone mund të humbasë dy nga emrat më të rëndësishëm në repartin ofensiv, pasi Antoine Griezmann nuk pritet të jetë pjesë e ekipit sezonin e ardhshëm, ndërsa e ardhmja e Julián Alvarez mbetet e pasigurt.

Megjithëse thuhet se Álvarez nuk do të transferohet te Barcelona, interesimi nga klube të mëdha si Paris Saint-Germain dhe Arsenal vazhdon të rritet.

Për këtë arsye, drejtuesit e Atlético Madridit kanë nisur të shqyrtojnë alternativa për sulmin dhe një nga emrat që ka dalë në skenë është Victor Osimhen.

Sulmuesi nigerian 27-vjeçar, që aktivizohet te Galatasaray, është një nga objektivat që klubi madrilen po monitoron nga afër në rast se Álvarez largohet.

Osimhen konsiderohet një sulmues me përvojë, në kulmin e karrierës së tij dhe me instinkt të jashtëzakonshëm për golin.

Megjithatë, transferimi i tij nuk do të ishte aspak i lehtë. Vlera e tij në treg vlerësohet rreth 75 milionë euro, ndërsa kontrata me Galatasarayn është e vlefshme deri në vitin 2029.

Sezonin e kaluar, sulmuesi nigerian zhvilloi paraqitje të shkëlqyera, duke shënuar 15 gola në kampionatin turk dhe shtatë në Ligën e Kampionëve. Në total, ai realizoi 33 paraqitje gjatë sezonit.

Galatasaray pagoi 75 milionë euro për ta transferuar Osimhenin nga Napoli në vitin 2025, duke e bërë atë blerjen më të shtrenjtë në historinë e futbollit turk.

Përveç shumës së lartë të transferimit, pengesë mbetet edhe paga e lojtarit, e cila raportohet të jetë rreth 15 milionë euro neto në sezon.

Një detaj interesant në marrëveshjen mes Galatasarayt dhe Napolit është se klubi turk duhet t’i paguajë Napolit një penalizim prej 70 milionë eurosh nëse e shet Osimhenin te një skuadër e Serie A para verës së vitit 2027.

Osimhen u përball me Atlético Madridin edhe në fazën e ligës së Ligës së Kampionëve, në ndeshjen e zhvilluar më 21 janar në Stamboll, e cila përfundoi me rezultatin 1-1. Pas takimit, nigeriani nuk i kurseu elozhet për Simeonen dhe skuadrën madrilene.

“Më pëlqen Atlético. Gjithmonë kam qenë admirues i trajnerit të tyre. Luajnë në mënyrë agresive dhe kanë një identitet të qartë. Simeone ka shumë vite aty dhe lojtarët janë mësuar me stilin e tij”, deklaroi Osimhen.

Ai shtoi gjithashtu se Atlético është “një nga ekipet më të mira në botë” dhe se barazimi ndaj tyre tregonte se Galatasaray ishte në rrugën e duhur.

Këto deklarata kanë shtuar spekulimet se Osimhen mund ta shohë me sy pozitiv një transferim në Madrid, nëse Atlético vendos të bëjë lëvizje konkrete për të gjatë kësaj vere./Arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale