Boksieri shqiptar i peshave të rënda, Kristian Prenga, është i bindur se mund ta shkaktojë një nga surprizat më të mëdha të viteve të fundit në boksin profesionist, kur më 25 korrik në Jeddah të Arabisë Saudite do të përballet me ish-kampionin e dyfishtë të botës, Anthony Joshua.
Gjatë konferencës për shtyp të zhvilluar të hënën për promovimin e duelit, Prenga u shfaq shumë i sigurt në aftësitë e tij dhe deklaroi se synon ta shokojë botën e boksit me një fitore ndaj britanikut, shkruan Arbresh.info.
“Sinqerisht, kur trajneri më telefonoi dhe më tha se do të luftoja me Joshuan, nuk e besoja. Por menjëherë i thashë: ‘Po, kjo është koha ime’. E respektoj shumë, është një luftëtar i madh dhe e kam ndjekur që nga meçi i tij i parë. Jam rritur duke parë ndeshjet e tij, por tani është radha ime. Po stërvitem më fort se kurrë, ndihem në formë të shkëlqyer dhe besoj se do ta trondisë botën”, deklaroi Prenga për “Ring Magazine”.
Boksieri shqiptar ka një bilanc mbresëlënës në karrierën profesioniste me 20 fitore dhe vetëm një humbje, ndërsa të gjitha fitoret e tij kanë ardhur me nokaut.
Prenga zhvilloi meçin e fundit më 21 shkurt, kur mposhti me nokaut në raundin e parë amerikanin Joe Jones. Ai debutoi në boksin profesionist në maj të vitit 2016 dhe që atëherë ka ndërtuar reputacionin e një boksieri me goditje të fuqishme.
Në anën tjetër, Anthony Joshua vjen pas fitores ndaj Jake Paul në dhjetor të vitit të kaluar, kur e nokautoi në raundin e gjashtë iyoutuberin që tashmë merret me boks profesionist.
Për shumë analistë, dueli me Prengën shihet si një test para një përballjeje të mundshme dhe shumë të pritur mes Joshuas dhe Tyson Furyt.
Megjithatë, britaniku nuk e ka nënvlerësuar kundërshtarin shqiptar.
“Ai do të bëjë atë që duhet të bëjë. E respektoj ashtu si çdo kundërshtar tjetër, por unë e di çfarë duhet të bëj në ring. Kjo është kategoria ime”, tha Joshua.
Tashmë gjithçka është gati për sfidën e 25 korrikut, ku Kristian Prenga do të kërkojë të shkruajë historinë dhe të realizojë një nga fitoret më të mëdha të sportit shqiptar./Arbresh.info
Selin dhe DJ Gimbo festojnë 1 Qershorin me fëmijët dhe famil...
Dy javë para finales përjashtohet një konkurrent në Ferma VI...
Gjini: Këmba e ushtarit serb s’mund të shkelë në Kosovë deri...
Molliqaj: U vërtetua se vendit i mungon opozita
Kryeministrja socialdemokrat daneze fiton mandatin e tretë p...
Hamza nesër mban konferencë për media