Ardian Ismajli largohet nga grumbullimi i kombëtares, humb miqësoret e qershorit

16:28 | 1 Qershor 2026
D.H

Kombëtarja shqiptare ka nisur sot grumbullimin në kuadër të dy ndeshjeve miqësore ndaj Izraelit dhe Luksemburgut.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se mbrojtësi Ardian Ismajli është larguar nga grumbullimi pas vlerësimit të gjendjes së tij fizike nga stafi mjekësor i Kombëtares.

Ismajli iu bashkua fillimisht ekipit kombëtar, por duke qenë se vinte pas një problemi muskulor që e kishte mbajtur larg fushave për disa javë dhe ishte rikthyer në lojë vetëm në ndeshjen e fundit të sezonit, ai u paraqit në kushte fizike jo optimale dhe nuk ishte plotësisht i gatshëm për dy ndeshjet miqësore të planifikuara.

Pas konsultimeve ndërmjet stafit teknik dhe lojtarit, si edhe një takimi me trajnerin Rolando Maran, u vendos që Ismajli të rikthehej pranë klubit të tij për të vijuar programin e rikuperimit dhe për t’u kthyer sa më shpejt në formën e tij më të mirë./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale