Atletico nuk dorëzohet për Alvarezin, PSG dhe Arsenali futen në garë për sulmuesin argjentinas

16:20 | 1 Qershor 2026
D.H

E ardhmja e Julián Álvarezit vazhdon të mbetet një nga temat më të nxehta të merkatos verore. Sulmuesi argjentinas pëlqehet prej kohësh nga Barcelona, por qëndrimi i ashpër i Atlético Madridit ka vështirësuar ndjeshëm çdo mundësi transferimi.

Klubi madrilen reagoi publikisht ditët e fundit ndaj spekulimeve të vazhdueshme që e lidhin lojtarin me Barcelonën, duke bërë të qartë se nuk ka ndërmend të negociojë për shitjen e tij.

Atlético këmbëngul se Alvarez nuk është në shitje dhe kujton se klauzola e lirimit të tij arrin në 500 milionë euro.

Sipas Diario AS, drejtuesit e Atlético Madridit janë të pakënaqur me mënyrën se si është trajtuar kjo çështje nga Barcelona dhe rrethi i saj, duke akuzuar klubin katalanas për përhapje të informacioneve të njëanshme dhe mungesë respekti. Marrëdhëniet mes dy klubeve aktualisht nuk janë në nivelin më të mirë.

Ndërkohë, në garë për 25-vjeçarin është rikthyer edhe Paris Saint-Germain.

Kampioni i Evropës kishte zhvilluar kontakte me Atlético Madridin muaj më parë për të diskutuar mundësinë e transferimit të Álvarezit.

Megjithatë, sipas raportimeve të L’Equipe, vetë lojtari vazhdon ta shohë Barcelonën si destinacionin e tij të preferuar dhe për momentin nuk është plotësisht i bindur për një transferim në Paris. Kjo situatë ka krijuar dilema edhe te drejtuesit e PSG-së lidhur me një ofertë të mundshme.

Klubi francez ka fuqinë financiare për të realizuar një operacion të tillë dhe madje mund të përfshijë në negociata emra si Kang-In Lee ose Gonçalo Ramos, futbollistë që mund të zgjojnë interesimin e Atlético Madridit.

Në skenë mbetet edhe Arsenali. Klubi londinez po kërkon përforcime në repartin ofensiv dhe ka kapacitetin ekonomik për të konkurruar, por aktualisht Álvarez nuk duket i interesuar për një rikthim në futbollin anglez.

Situata e sulmuesit argjentinas po ndikon drejtpërdrejt edhe në planet e merkatos së Atlético Madridit. Drejtuesit e klubit duhet të planifikojnë afrimet e reja, por gjithçka varet nga fakti nëse Álvarez do të mbetet pjesë e skuadrës apo do të largohet për një shumë rekord.

Pavarësisht dëshirës së të gjitha palëve për ta zgjidhur sa më shpejt këtë çështje, duket se saga e Julián Álvarezit do të vazhdojë edhe gjatë javëve në vazhdim./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale