Qytetarët marshojnë në Tiranë-Protestojnë kundër ndërtimeve në zonat e mbrojtura

21:50 | 31 Maj 2026
E.G

Qytetarë të shumtë protestuan mbrëmjen e sotme kundër ndërtimeve të planifikuara në zonat e mbrojtura mjedisore, konkretisht në atë të Zvërnecit.

Në protestën paqësore që zgjati më shumë se dy orë, qytetarët protestuan para Ministrisë së Brendshme dhe më pas u zhvendosën drejt Kryeministrisë.

Protestuesit, të bashkuar nën moton “Shqipëria nuk shitet” dhe “Anuloni projektin”, shprehën shqetësimin dhe nevojën për ruajtjen e trashëgimisë natyrore dhe mjedisore të vendit.

Ata akuzuan autoritetet për prioritetin ndaj interesave ekonomike private në dëm të zonave të mbrojtura ligjërisht.

Më pas, kolona e protestuesve u drejtua drejt Kryeministrisë, ku apeluan sërish për anulimin e projektit.

Në fund të tubimit, organizatorët njoftuan se protesta do të vazhdojë edhe ditën e nesërme, ditën e hënë, më 1 qershor, duke u bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen sërish në orën 18:00.

/rtsh.al/

Shpërndaje në rrjete sociale