Matoshi: Ndjenjë e mirë ta vesh fanellën e Kosovës, do të jap maksimumin

15:25 | 28 Maj 2026
A Z

Një nga prurjet e reja në Kombëtaren e Kosovës, Valmir Matoshi, është shprehur i lumtur për grumbullimin me Dardanët para miqësoreve ndaj Çekisë dhe Andorrës.

“Dardanët” do të përballen fillimisht me Çekinë në udhëtim të dielën, ndërsa më 7 qershor do të luajnë ndaj Andorrës në ‘Fadil Vokrri’.

Matoshi ka thënë se ndjenja për të veshur fanellën e Kosovës është e veçantë dhe se po e shijon maksimalisht këtë eksperiencë.

“Një ndjenjë shumë e mirë, një ndjenjë që ende nuk e kam përjetuar më parë. Djemtë janë shumë të mirë, po ashtu edhe stafi. Flasim lirshëm me njëri-tjetrin, ashtu siç duhet të jetë”, deklaroi Matoshi për faqen zyrtare të FFK-së.

Ai tregoi gjithashtu se prej kohësh ka ndjekur ndeshjet e Kosovës dhe beson në potencialin e ekipit.

“Krejt lojërat i kam shikuar më parë. Ishin afër të shkonin në Botëror, por nuk u bë. Unë do të jap maksimumin në çdo ndeshje”, u shpreh futbollisti kosovar.