Policia spanjolle kundër korrupsionit bastis selinë e partisë së kryeministrit, rritet presioni mbi qeverinë Sanchez

12:37 | 27 Maj 2026
E.H

Policia antikorrupsion në Spanjë ka kryer një bastisje në selinë qendrore të Partisë Socialiste Spanjolle në Madrid, në kuadër të një hetimi për dyshime mbi financim të paligjshëm të partisë në pushtet.

Sipas mediave spanjolle, agjentë të njësisë elitare të Gardës Civile, UCO (Unidad Central Operativa), u vendosën në seli për të sekuestruar prova që lidhen me një hetim në zhvillim të Prokurorisë Antikorrupsion.

Operacioni u zhvillua në mëngjes dhe vjen vetëm një javë pas akuzave të ngritura nga Gjykata Kombëtare ndaj ish-kryeministrit José Luis Rodríguez Zapatero, një nga aleatët më të afërt të kryeministrit aktual Pedro Sánchez, për pastrim parash, ndikim të paligjshëm dhe vepra të tjera penale të lidhura me një paketë ndihme financiare për kompaninë ajrore Plus Ultra në vitin 2021.

Hetimet e reja kanë shtuar presionin mbi qeverinë e brishtë të Sánchez-it, e cila mbështetet në një shumicë të kufizuar parlamentare dhe në aleanca me parti rajonale.

Disa nga këto parti, që kanë qenë vendimtare për formimin e qeverisë në vitin 2023, po shfaqin tashmë shqetësim të shtuar për lidhjen me skandalet e korrupsionit që kanë përfshirë Partinë Socialiste gjatë vitit të fundit.

Liderë të partive rajonale kanë kërkuar madje zgjedhje të parakohshme, duke argumentuar se situata politike është bërë e paqëndrueshme dhe e vështirë për t’u menaxhuar deri në fund të mandatit aktual në vitin 2027.

Një nga aleatët kryesorë të qeverisë në Katalonjë ka deklaruar se një “vijë e kuqe” për mbështetjen e mëtejshme do të ishte zbulimi i financimit të paligjshëm të partisë socialiste në shkallë të gjerë.

Shpërndaje në rrjete sociale