Gjykata e Lartë i jep të drejtë “Mabco”-s për aeroportin e Vlorës, rrëzon pretendimet e “2A Group”

18:56 | 26 Maj 2026
Q L

Gjykata e Lartë ka vendosur të rrëzojë kërkesën për sigurimin e padisë të paraqitur nga kompanitë “Vlora International Airport” dhe “2A Group”, e lidhur me biznesmenin Valon Ademi, duke i dhënë të drejtë sipërmarrësit Behgjet Pacolli.

Trupa gjykuese e Kolegjit Administrativ vendosi të ndryshojë vendimet e mëparshme të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe Gjykatës së Apelit Tiranë, të cilat kishin pranuar kërkesën për masë sigurimi padie.

Kjo masë kishte si qëllim pezullimin e përkohshëm të disa vendimmarrjeve dhe procedurave administrative brenda shoqërisë koncesionare që menaxhon projektin e Aeroportit të Vlorës.

Në thelb, mosmarrëveshja mes palëve lidhet me kontrollin dhe administrimin e kompanisë koncesionare “Vlora International Airport”. Konflikti lindi pasi “2A Group” pretendoi se kishte fituar të drejtën mbi një pjesë të konsiderueshme të aksioneve të shoqërisë, ndërsa kompania “Mabco” e biznesmenit Behgjet Pacolli kundërshtoi këtë pretendim dhe kërkoi pavlefshmërinë e kontratës së transferimit të kuotave.

Përplasja mes ortakëve u shoqërua me procese gjyqësore, akuza reciproke dhe tensione për kontrollin e vendimmarrjes në shoqërinë që po ndërton aeroportin.

Prej ditësh, punëtorët e Mabco-s nuk lejohen të futen në kantier.

Projekti i aeroportit të Vlorës konsiderohet një nga investimet strategjike të qeverisë për turizmin dhe transportin ajror në jug të vendit. Aeroporti po ndërtohet në zonën e Akërnisë dhe synon të shërbejë si porta kryesore ajrore e rivierës shqiptare.

Shpërndaje në rrjete sociale