Chicago Fire e do Lewandowskin, trajneri i klubit e pranon publikisht

22:20 | 25 Maj 2026
D.H

Robert Lewandowski i ka dhënë fund karrierës së tij tek Barcelona. Sulmuesi polak po lidhet gjithnjë e më shumë me një transferim në MLS, ndërsa Chicago Fire ka konfirmuar interesimin për të.

Trajneri i klubit amerikan, Gregg Berhalter, ka pranuar publikisht se Chicago Fire dëshiron ta transferojë yllin polak dhe se tashmë kanë pasur kontakte me lojtarin dhe rrethin e tij.

“Kemi folur me Lewandowskin dhe me përfaqësuesit e tij. Jam i bindur se një lojtar i nivelit të tij ka edhe oferta të tjera, por ne kemi pasur shumë komunikim me të”, deklaroi Berhalter.

Ai shtoi se Chicago Fire e sheh Lewandowskin si një transferim ideal jo vetëm për klubin, por edhe për qytetin e Chicagos.

“Mund të flas lirshëm sepse ai nuk do të jetë më lojtar i Barcelonës. Ne duam ta transferojmë. Besojmë se komuniteti polak dhe i gjithë qyteti do ta mbështesnin këtë lëvizje”, tha trajneri amerikan.

Sipas tij, një lojtar i nivelit të Lewandowskit do ta rriste menjëherë potencialin ofensiv të skuadrës.

Raportohet se kontaktet mes palëve kanë nisur që nga muaji dhjetor, ndërsa Chicago Fire po punon seriozisht për ta bindur polakun që ta vazhdojë karrierën në MLS.

Megjithatë, klubi amerikan nuk është i vetëm në garë. Mediat angleze raportojnë se Manchester United po monitoron situatën e sulmuesit, ndërsa interesim kanë shfaqur edhe disa klube nga Arabia Saudite.

Lewandowski mbetet një nga emrat më të mëdhenj në tregun e transferimeve dhe vendimi për të ardhmen e tij pritet të tërheqë shumë vëmendje gjatë verës./Arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale