Rexhepi: Nesër Lugina në këmbë, vijnë kongresistët amerikanë

14:30 | 25 Maj 2026
E.K

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale, u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve të Luginës së Preshevës që të martën, në orën 10:00, të grumbullohen në Preshevë për të pritur një delegacion të lartë të kongresistëve amerikanë.

Sipas Rexhepit, ky nuk është një takim i zakonshëm, por një moment historik ku Lugina duhet të tregojë unitet, forcë dhe dinjitet përballë miqve strategjikë të kombit shqiptar.

“Më 26 maj, në ora 10:00, Presheva nuk pret vetëm mysafir. Presheva pret Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në Këshillin Kombëtar Shqiptar vijnë kongresmenë më të lartë amerikanë, zëra të fuqishëm në Uashington, mbështetës të kauzës së shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, ka thënë kreu i KKSH-së.

Rexhepi u ka bërë thirrje të gjitha moshave dhe kategorive shoqërore nga Presheva, Bujanoci e Medvegja, përfshirë studentët, veteranët dhe mërgimtarët, që t’i bashkohen kësaj mikpritjeje madhështore.

“Le të mbushet Presheva me flamuj kuqezi dhe amerikanë. Le të dëgjohet zëri i shqiptarëve të Luginës. Le ta kuptojë bota se ky popull nuk dorëzohet dhe nuk hesht. Sepse kur miqtë e shqiptarëve vijnë në Luginë, Lugina ngrihet në këmbë”, porositi ai.

Kjo vizitë vjen në një periudhë të rëndësishme për shqiptarët e Luginës, të cilët vazhdimisht kërkojnë vëmendje ndërkombëtare për të drejtat e tyre elementare, ndërsa vizita e zyrtarëve të lartë nga Uashingtoni shihet si një mbështetje e fuqishme direkte për kauzën e tyre kombëtare, pasi autoritetet serbe po vazhdojnë që përmes masivizimit të adresave të bëjnë spastrim etnik të heshtur në Luginë.