Situata në Aeroportin e Vlorës, Pacolli: Policia e Shtetit po pengon qasjen në punë, tash e sa ditë

11:01 | 25 Maj 2026
E.K

Ish presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli ka reaguar lidhur me situatën në Aeroporti i Vlorës, duke denoncuar pengesa në qasje në hapësirat e punës dhe bllokim të aktivitetit në terren.

Pacolli ka deklaruar se punëtorëve dhe investitorëve po u mohohet qasja në punishtet dhe pajisjet e tyre të punës, ndërsa objekti, sipas tij, po mbahet i bllokuar.

Postimi i plotë:

Prapë pengesa, prapë bllokada, prapë privim i njerëzve nga e drejta elementare për të punuar, per te pasur qasje në pronën e tyre!

Edhe sot po vazhdon e njëjta skenë: njerëzve u mohohet qasja në punishtë, në sendet e tyre private, në pajisjet dhe instrumentet e punës, ndërsa Terminali vazhdon të mbahet peng.

Tashmë kemi dëshmi serioze se kompjuterë dhe instrumente sensitive po vidhen nga grupe që kanë uzurpuar hapësirat ku ndodhen pajisjet e ndijëshme, pajsjet të mjeshtërve, inxhinierëve dhe punëtorëve. Këto gjëra kanë mbetur pa asnjë përkujdesje, kanë mbetur në mëshirën e atyre që po mbajnë peng një vepër ku investitori Mabco ka investuar qindra miliona euro.

E gjithë kjo po ndodh para syve të Policisë së Shtetit, e cila po pengon qasjen në punë, tash e sa ditë.

Pyetja është e thjeshtë dhe kërkon përgjigje të qartë: kush i ka urdhëruar këto veprime dhe kush po e mban peng këtë proces?

Nëse në këtë vend ka drejtësi, kjo situatë duhet të hetohet menjëherë. Heshtja përballë bllokadës, vjedhjes dhe privimit të pronës nuk është zgjidhje — është përgjegjësi./Arbresh.info