Hamza nga Prishtina: Me besim, energji dhe dashuri të madhe drejt ndryshimit të Kosovës

19:46 | 22 Maj 2026
R J

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka zhvilluar sonte një takim me qytetarë dhe struktura të partisë në Prishtinë, ku tha se mbështetja dhe energjia që po merr PDK në gjithë Kosovën po e forcon bindjen se vendi ka nevojë për ndryshim.

“Prishtina sonte na dha shumë energji, besim dhe dashuri në misionin tonë për t’i thënë STOP krizës dhe për ta ndryshuar Kosovën”, deklaroi Hamza.

Ai tha se gjatë takimeve me qytetarët po bëhet gjithnjë e më e qartë pakënaqësia me gjendjen ekonomike dhe sociale në vend.

“Në mesin e shumë qytetarëve, pamë nga afër diçka që nuk mund të fshihet me propagandë: lodhjen nga krizat, shqetësimin për të ardhmen dhe dëshirën për ndryshim”, u shpreh ai.

Hamza theksoi se qytetarët kërkojnë institucione që merren me problemet reale të jetës së përditshme.

“Qytetarët nuk kërkojnë mrekulli. Kërkojnë një shtet që punon për ta. Një qeveri që merret me jetën reale: me çmimet, pagat, të rinjtë dhe dinjitetin e familjeve tona”, tha kandidati i PDK-së për kryeministër.

Në fund, Hamza tha se energjia dhe mbështetja që po merr nga qytetarët anekënd Kosovës është sinjal i qartë se koha për ndryshim ka ardhur.

“Më 7 qershor, bashkë, do t’i themi STOP krizës dhe do ta ndryshojmë Kosovën”, përfundoi ai.