Dogana zbulon keqpërdorim me importet, një biznes dyshohet për shmangie të mbi 51 mijë eurove

12:34 | 22 Maj 2026
E.K

Dogana e Kosovës ka iniciuar procedurë kundërvajtëse ndaj një subjekti ekonomik, i cili dyshohet se ka keqpërdorur skemën e lirimit nga detyrimet doganore dhe tatimore gjatë importit të lëndës së parë për prodhim.

Sipas njoftimit, subjekti kishte realizuar importe në vlerë mbi 633 mijë euro, të deklaruara si lëndë e parë për prodhim dhe të përfituara me lirime doganore dhe tatimore sipas legjislacionit në fuqi.

Gjatë kontrolleve të realizuara nga zyrtarët doganorë, janë evidentuar mospërputhje mes gjendjes faktike dhe dokumentacionit të deklaruar, si dhe mungesë e një pjese të mallrave në depo.

Po ashtu, dyshohet se një pjesë e mallrave është transferuar tek një subjekt tjetër ekonomik që nuk ka të drejtë për përfitimin e lirimeve doganore dhe tatimore.

Sipas vlerësimeve preliminare, shmangia e detyrimeve tatimore kap vlerën mbi 51 mijë euro, ndërsa rasti është referuar për trajtim të mëtejshëm në bashkëpunim me institucionet relevante.

Dogana e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e keqpërdorimeve dhe garantimin e zbatimit të ligjit në fushën doganore dhe tatimore.