Vendos Gjykata: Një muaj paraburgim për shtatë serbët e dyshuar për kërcënimin e votuesve në Graçanicë

19:52 | 21 Maj 2026
E.G

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj shtatë të pandehurve të dyshuar për veprën penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”, sipas nenit 210 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit, të pandehurit me inicialet M.D., B.P., Lj.K., M.D., N.R., B.L. dhe S.M. do të qëndrojnë në paraburgim për një periudhë prej një muaji, bazuar në vendimin e gjyqtares së procedurës paraprake.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, pasi ekziston rrezik real që nëse të pandehurit lihen në liri, mund të arratisen me qëllim të fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale, po ashtu duke marr parasysh se të gjithë të pandehurit janë edhe shtetas të Serbisë, ekziston rreziku real që të arratisen fare lehtë dhe të jenë të pa arritshëm për organet e drejtësisë, me çka do të pa mundësohet sigurimi i prezencës së tyre dhe do të pengohej rrjedha normale e procedurës penale”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, gjykata ka vlerësuar se ekziston edhe rreziku i përsëritjes së veprës penale, duke konsideruar paraburgimin si masën e vetme adekuate për sigurimin e zhvillimit të papenguar të procesit.

Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykata e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.